Rama: Kantina “Pupa”, mes vreshtave dhe traditës tërheq turistë vendas e të huaj

TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Turistë vendas dhe të huaj po zgjedhin të vizitojnë Kantinën e Verës “Pupa”, në Fushë-Peshtan të Beratit, për të zbuluar nga afër vreshtat, verërat dhe traditat gastronomike të zonës.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga kjo kantinë, duke vënë në dukje potencialin e saj si një destinacion agroturistik.
“Kantina shtrihet mes 30 hektarësh me vreshta, ofron degustime dhe akomodim për vizitorët, duke e bërë atë një destinacion të veçantë agroturistik”, shkroi Rama.
Pamjet tregojnë vizitorë të huaj teksa shëtisin mes plantacioneve me vreshta, njihen me procesin e prodhimit të verës dhe shijojnë verërat e kantinës, të shoqëruara me produkte dhe gatime tradicionale.
Kantinat e verës dhe plantacionet me vreshta po marrin një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në ofertën turistike të vendit, duke ndërthurur prodhimin vendas me përvojat turistike.
Përtej akomodimit, vizitorëve u ofrohen shëtitje në vreshta, vizita në kantina, degustime dhe njohje me produktet lokale, duke krijuar një përvojë që ndërthur natyrën, gastronominë, traditën dhe kulturën e prodhimit të verës.
Kjo formë e agroturizmit po i shndërron vreshtat, kantinat dhe fermat shqiptare në pika të reja të guidave turistike, duke zgjeruar më tej ofertën për vizitorët vendas dhe të huaj.
/e.xh/r.e/