Shqipëria në Taranto 2026, Gonxhja: Përvojë drejt Lojërave Mesdhetare Prishtinë-Durrës 2030

TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Kanë mbetur edhe 24 orë nga ceremonia e hapjes së Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”, ku Shqipëria do të jetë pjesëmarrëse jo vetëm me sportistët e saj, por edhe me një synim të rëndësishëm: marrjen e përvojës italiane në organizimin e një eventi të përmasave ndërkombëtare.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja theksoi rëndësinë e Lojërave Mesdhetare si një mundësi për promovimin e qyteteve organizatore, zhvillimin ekonomik, turizmin dhe forcimin e bashkëpunimit mes vendeve.
“Shqipëria shkon në Taranto jo vetëm për të garuar, por edhe për të mësuar nga fqinjët tanë italianë mbi zhvillimin e Lojërave Mesdhetare Prishtinë-Durrës 2030”, u shpreh Gonxhja.
Ministri vuri në dukje se eventet e mëdha sportive sjellin në një vend atletë, delegacione dhe vizitorë nga vende të ndryshme, duke krijuar sinergji sociale dhe mundësi të reja për promovimin e kulturës dhe turizmit.
Sipas Gonxhjas, fryma olimpike e këtyre aktiviteteve shkon përtej rezultatit sportiv, pasi promovon miqësinë, solidaritetin, bashkëjetesën, respektin dhe kulturën mes popujve.
“Një mundësi e jashtëzakonshme për qytetet e shtetet organizatore ku evente të tilla janë promovim e nxitje ekonomike, ku tregojnë histori për botën dhe çlirojnë energji të reja. Atletët, delegacionet ndërkombëtare dhe shumë vizitorë mbërrijnë për të krijuar sinergji sociale e eksperiencë unike, atmosferë ku protagonistët i bashkon sporti, gara e vërtetë, sfida por edhe i barazon fryma olimpike, që edukon qytetari, empati e kulturë”, shkroi ministri.Pjesëmarrja në “Taranto 2026” shihet gjithashtu si një mundësi për Shqipërinë për të përfituar nga eksperienca e fqinjëve italianë, në kuadër të përgatitjeve për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtinë-Durrës 2030.
/e.xh/r.e/