Rama: Kavaja, shembulli se ndryshimi është i mundur në Shqipëri
Opozita, mblidhet Forumi i Gruas
Shqipëria është grua ky është slogani më i ri me të cilin ka rinisur turin e takimeve për ristrukturimin e Forumit të Gruas Socialiste. Gjatë një takimi me gratë pjesëmarrëse të këtij forumi në qytetin e Kavajës lideri i opozitës është shprehur se ndryshimi është i mundur në të gjithë vendin. Startin elektoral të zgjedhjeve të vitit 2013, partia më e madhe e opozitës ka menduar ta nisë në Kavajë, aty ku ndodhi dhe ndryshimi në zgjedhjet lokale të 2011, ku PS-ja fitoi bashkinë e këtij qyteti. Nuk ka shembull më të fuqishëm se sa Kavaja për të treguar se ndryshimi është i mundur në të gjithë vendin, deklaroi Rama në këtë takim. Mes një publiku tërësisht femëror, gjatë Forumit të Gruas, kryetari i PS-së Edi Rama tha se gratë në të gjithë Shqipërinë kanë forcën të ndryshojnë mentalitete, të transformojnë mendësi, të thyejnë barriera e të krijojnë një shembull të shkëlqyer për të ndryshuar shoqërinë ku jetojnë sot.
Partia Socialiste, është familja e madhe ku gratë, ato që dëshirojnë një botë më të mirë për fëmijët dhe veten, ato që dëshirojnë një Shqipëri tjetër, i kanë të gjithë mundësitë të kontribuojnë e të bëhen protagoniste të vërteta të këtij ndryshimi, i cili do të vijë jo duke ndërruar një parti me një tjetër, por duke ndërruar faqen e historisë së këtij vendi, theksoi Rama. Kryesocialisti nuk ngurroi që shembullin ta japë konkret, ku Bashkia e Kavajës drejtohet tashmë nga një socialist. Ju morët përsipër që të mos pajtoheshit më me inercinë e një historie të vjetër dhe bajate, dhe së bashku shkruat një faqe të re të historisë së qytetit tuaj. Ju morët përsipër që të mos mjaftoheshit me ato gjëra që i duhen njeriut në të përditshmen e vet, për tu ngrysur dhe për tu gdhirë individualisht, dhe u bëtë bashkë, duke transformuar praktikisht, një mendësi. Mendësinë se në Kavajë asgjë smund të ndodhë. Në Kavajë ka një monopol të një partie. Në Kavajë ka një sundim të paracaktuar të një grushti njerëzisht dhe gjithë jeta jonë do të kalojë kështu nën këtë parti e nën këtë grup njerëzish e me po të njëjtën histori që përsëritet. Në fakt, nuk ndodhi kështu dhe të gjithë atyre që pyesin apo që të shqetësuar duan të dinë si mund të ndryshojë gjendja në të cilën ndodhemi, nuk ka shembull më të fuqishëm se sa Kavaja dhe historia që ju po shkruani së bashku, për tu treguar se gjendja mund të ndryshojë. Por nuk mund të ndryshojë vetë, gjendjen mund ta ndryshojnë njerëzit së bashku, tha Rama. Për liderin e opozitës, Partia Socialiste ofron alternativa reale. Ka një program ambicioz dhe është e vetmja forcë politike me mendje të hapur e këndvështrim të gjerë mbi shoqërinë dhe të ardhmen. Arsimi, punësimi, lehtësirat sociale dhe në tërësi integrimi i grave dhe i vajzave në jetën publike dhe në procesin politik, i nënkuptuar si proces qytetar në radhë të parë, janë prioritetet tona në raport me gratë dhe me vajzat shqiptare. Janë prioritete të cilat ne do ti ndjekim me shumë këmbëngulje, bazuar në programin tonë të ri. Është një program i cili është pasuruar dhe unë shpresoj të vazhdoj të pasurohet edhe me kontributin tuaj dhe të gjitha grave dhe vajzave në të gjithë Shqipërinë, për të bërë të mundur që në vitin 2013 të mos ndërrojmë një parti me një tjetër dhe të vazhdojë avazi i vjetër. Por të ndërrojmë faqen e historisë së këtij vendi, siç e ndërruat ju një vit më parë këtu në Kavajë, për qytetin tuaj, tha lideri i opozitës. Rama kërkoi nga gratë protagonizëm në familje, por edhe në politikë, në jetën sociale dhe në atë profesionale. Diversiteti i çdokujt nga ne është baza e një shoqërie më të mirë që duam të ndërtojmë, e asaj shoqërie ku gruaja të jetë një figurë kyçe në të gjithë kompleksitetin, lirinë dhe individualitetin e saj. Rivitalizimi i strukturave të Forumit të Gruas së Partisë Socialiste do të kurorëzohet me zhvillimin e zgjedhjeve të drejtueses së forumit dhe strukturave.
Rama: Kavaja, shembulli se ndryshimi është i mundur në Shqipëri burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip