Dhuna në polici, Kur ndodhi grabitja, isha në shtëpi
Zbardhet dëshmia e plotë e të dyshuarit për grabitje në polici
Me dhunë çnjerëzore, të dyshuarit për grabitje i është kërkuar të pranojë akuzën, pasi policia shprehet e bindur se ai është autori i krimit, megjithëse për torturën e ushtruar, ende nuk është identifikuar asnjë punonjës policie për tu dërguar para përgjegjësisë penale. Ndërkaq, i vetmi që po heton mbi këtë rast është Avokati i Popullit, i cili, pas marrjes në pyetje të personit të arrestuar, Durim Onuzi, pritet të kontaktojë edhe me drejtuesit e komisariatit, apo personat që kanë marrë pjesë në arrestimin e tij. Në përfundim të këtyre veprimeve pritet të jepen edhe konkluzionet përfundimtare mbi dhunën e ushtruar në komisariatin nr. 4 në Tiranë. Nga ana tjetër, gazeta ka zbuluar procesverbalin e plotë të marrjes në pyetje të Onuzit, si person nën hetim, i mbajtur më 28 gusht 2012 para oficerit të Policisë Gjyqësore. Në momentin e marrjes në pyetje, Onuzi pretendon se ishte dhunuar dhe prej policëve, me qëllim që të pranonte vjedhjen me dhunë të dy varëseve.
Ndaj jush zhvillohen hetime, pasi jeni i dyshuar për vjedhjen me forcë nga qafa të varëses së shtetases Lumturi Topulli, ngjarje e ndodhur në rrugën Riza Cerova në Tiranë, më datë 28 gusht 2012. Sa më sipër, na jepni shpjegime në lidhje me këtë ngjarje, si dhe rrethana të tjera me interes për hetimin?
Jam me banim në Rrugën e Dibrës, aktualisht jam me punë private, shes rroba të përdorura në Rrugën e Dibrës, disponoj numrit e telefonit 068 63…. Në lidhje me ngjarjen e mësipërme kam për të shpjeguar se sot, më datë 28.08.2012, rreth orës 08:20 kam dalë nga shtëpia si zakonisht bashkë me nënën time dhe kemi shkuar në punë, ku kemi hapur mallin. Nëna shiste rroba, kurse unë u mora me pastrimin e vendit përqark, duke hequr disa ferra, deri në orën 09:10. Kam shkuar te shtëpia dhe mora gocën e vogël që po qante, pasi nusja po merrej me punë shtëpie dhe shkova sërish te puna. Qëndrova për pak aty, goca filloi të qante dhe e çova sërish në shtëpi. Ka qenë ora rreth 11:00, kur shkova në banesë dhe nuk kam lëvizur prej saj, derisa kanë ardhur shërbimet e policisë dhe më kanë shoqëruar në komisariat. Më thanë se do të vish për një verifikim. Dua të them se unë nuk kam dijeni fare për vjedhjen e varëses së shtetases Lumturi Topulli. Kaq mund të them për këtë ngjarje.
A keni shkuar ju bashkë me bashkëshorten tuaj për të takuar vëllain e kësaj të fundit, pranë Zogut të Zi, te furgonat e Dibrës?
Dua të them se unë kam shkuar bashkë me nusen time për të takuar kunatin rreth orës 07:00, pasi do të largohej në Itali.
Çfarë shapkash mbani veshur, mund të na i përshkruash ato, çfarë keni pasur veshur sot konkretisht?
Unë kam disa lloj shapkash, me ngjyrë blu, kafe, bezhë në të verdhë, etj. Dua të them se sot kam pasur veshur një palë shapka ngjyrë bezhë, që i kam lënë në makinën time para shtëpisë.
A keni ndonjë palë shapka me ngjyrë të verdhë, me gisht, që i përdorni?
Nuk kam asnjë palë shapka, si ato që më pyesni.
A keni qenë sot, më 28 gusht 2012 në rrugën Riza Cerova?
Jo, nuk kam qenë.
A morët dijeni për vjedhjen e varëseve nga qafa të shtetases Lumturi Topulli?
Nuk mora dijeni, më vonë mësova në polici për vjedhjen e varëseve të saj.
A keni qenë sot në ndonjë vend tjetër, përveç se te puna juaj?
Veç kur jam takuar me kunatin, te mbikalimi i Kamzës dhe te puna, nuk kam qenë në asnjë vend tjetër.
Çfarë keni pasur veshur?
Kam pasur një bluzë me mëngë të shkurtra, me ngjyrë bojë-qielli, një palë pantallona të shkurtra me ngjyrë të zezë dhe nga këmbët një palë shapka me ngjyrë bezhë, të cilat i kam lënë në makinë.
Denoncimi
Torturat në polici ndaj të dyshuarit për grabitje
Më kanë rrahur në mënyrë çnjerëzore tetë ose nëntë policë. Më kanë mbajtur pa gjumë, më kanë goditur në organe gjenitale, në kofshë, në kurriz, me qëllim që unë të pranoja një grabitje me dhunë ndaj një gruajeje, që nuk e njoh se kush është, ndërkohë që faji im i vetëm është se nëna ime ka thënë për policët se kam një palë shapka të njëjta me ato që janë gjetur në vendin e grabitjes, por që nuk i kam pasur kurrë. Kështu e nis rrëfimin Durim Onuzi, duke treguar torturat në ambientet e policisë së Tiranës, ku nuk i kanë lejuar kontrollin mjekësor apo avokatin dhe pretendon se është trajtuar në mënyrë çnjerëzore. Ai i ka rrëfyer të gjitha torturat, në një dëshmi për gazetën Shqip, ndërkohë që për këtë çështje, avokati i tij ka bërë kallëzim në Prokurorinë e Tiranës dhe Avokati i Popullit ka nisur verifikimet, duke përgatitur raportin përkatës. Nga ana tjetër, drejtori i Policisë së Tiranës ka deklaruar që, nga informacionet në dispozicion të tij, ai është trajtuar konform ligjit. Megjithatë, Shqip ka siguruar dokumentet e çështjes, si dhe fotot e të dëmtuarit, ku duken qartë shenjat e dhunës.
Ankesa
Durim Onuzi paraqet provat e reja në Apel, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm
I dyshuari për grabitje apelon masën e sigurisë
Prokuroria e ka mbajtur të fshehur dëshminë e nënës së Durim Onuzit gjatë masës së sigurisë, duke e cilësuar si një provë të fortë për të vërtetuar veprën penale të vjedhjes me dhunë, për të cilën akuzohet ai, por që ajo rezulton e shtruar në spital psikiatrik më shumë se një herë. Në këto kushte, Onuzi, nëpërmjet avokatit të tij, Zaçe Islami, ka apeluar masën e sigurimit, duke paraqitur prova të reja para trupit gjykues. Sipas kërkesës së depozituar pak ditë më parë, kërkohet lirimi i menjëhershëm i të arrestuarit Durim Onuzi, pasi nuk janë respektuar kërkesat e ligjit.
Në kërkesë thuhet se i dyshuari nuk është arrestuar në kushtet e flagrancës, nuk ka qenë as në vendin dhe as në momentin e ngjarjes, nuk ka qenë në ndjekje nga policia dhe nuk i është gjetur asnjë objekt i vjedhur. Gjithashtu, nuk ekziston asnjë provë që të faktojë se i arrestuari ka kryer veprën penale të vjedhjes me dhunë, dyshimi ndaj tij është i paarsyeshëm, i pabazuar në prova dhe për pasojë kjo e nxjerr arrestimin të paligjshëm, të cilin duhet ta konstatojë e ta deklarojë Gjykata, sepse është bërë ndaj një personi që nuk ka kryer vepër penale.
Provat
Sipas provave të paraqitura mësohet se vetë viktima e grabitjes, Lumturi Topulli, nuk e ka identifikuar të dyshuarin Durim Onuzi si grabitësin e objekteve të saj, dy varëse prej ari. Ajo ka deklaruar se nuk e njeh të arrestuarin dhe se nuk e ka parë kurrë më parë atë. Gjithashtu, siç rezulton nga procesverbali i datës 28.08.2012, nënshkruar nga Oficeri i Policisë Gjyqësore Jetnor Xhaferi dhe nga Nuredin Mujo, të arrestuarit Durim Onuzi nuk i janë gjetur dy varëset e arta, objekt i veprës penale, as në trup dhe as në shtëpinë e tij. Ndërkaq, nuk ekziston asnjë provë individualizuese, as shenjat daktiloskopike (të kreshtave papillare), as material i vërtetuar me analizën e ADN-së, që ta lidhë të arrestuarin me këtë vepër penale.
Nëna
Si provë e vetme e pretenduar nga policia dhe Prokuroria janë cilësuar një palë shapka burrash të gjetura në vendin e ngjarjes, me hamendësimin se mund ti përkasin të arrestuarit Durim Onuzi, pasi, sipas dëshmitarëve të pretenduar në vendin e ngjarjes, grabit