E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Kemi hyrë në fazën e administratës inteligjente, projekt për integrimin e agjentëve IA në qeverisje

TIRANË, 29 maj /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi se kur shteti funksionon mbi teknologjinë, ndërtohet një shtet më efikas dhe funksional, më afër qytetarit.

Në aktivitetin e mbajtur me rastin e prezantimit të Albanian Digital Solution Sh.A, Rama tha se me përfshirjen e një partneri tjetër shtetëror dhe me ekspertizën që vjen nga sektori privat, po mundësohet që markimi i naftës, gjurmimi i mallrave të akcizës dhe identiteti digjital të bëhen pjesë e një holdingu shtetëror.

“Përmes kompanisë përkatëse, shteti përfiton të ardhura që deri dje përfundonin në xhepin e një privati. Kompanitë që po krijojmë në fushën e mbrojtjes lindin nga një parim i thjeshtë, ne nuk duam që të huajt të vijnë në Shqipëri, të marrin toka, kapanone apo struktura dhe të prodhojnë të vetëm. Ne duam që kushdo që investon në Shqipëri të bashkëprodhojë me ne, me shtetin shqiptar, me Ministrinë e Mbrojtjes dhe me kompaninë KAYO, e cila është një tjetër kompani publike e përfshirë në investimet që realizohen në sektorin e mbrojtjes”, tha Rama.

Një tjetër kompani e krijuar, e cila shumë shpejt do të nisë prodhimet e para, sipas Ramës, është “Guna”, kompania që do të prodhojë uniformat e shtetit shqiptar.

“Për vite me radhë, në Shqipëri prodhoheshin uniforma edhe për ushtrinë suedeze, në fabrika modeste dhe zona rurale, ndërkohë që shteti shqiptar përballej me procedura të pafundme tenderimi, me procese të gjata prokurimi, prokurori e kanale ankimimesh. Sot, kemi ngritur një kompani të përbashkët që do të prodhojë uniforma për shtetin shqiptar, për ushtrinë, policinë, policinë bashkiake dhe shërbimet zjarrfikëse, por edhe për ushtri të vendeve të tjera të NATO-s”, vijoi ai.

Duke u ndaluar te transformimi digjital, Rama tha se faza e parë e qeverisjes ishte kalimi nga “epoka e gurit dhe drurit” në epokën digjitale, përmes krijimit të platformave elektronike.

“Faza e dytë ishte digjitalizimi i shërbimeve dhe sot jemi në fazën e tretë, administrata inteligjente. Kemi nisur jo vetëm projektin madhor të transformimit revolucionar të prokurimeve publike, por edhe projektin për integrimin e agjentëve të inteligjencës artificiale në nivelin e parë të qeverisjes. Kemi filluar me ministritë, sektorët e financës dhe shërbimet juridike, duke ngritur struktura të posaçme për përdorimin e agjentëve të IA-së me qëllim rritjen e shpejtësisë, integritetit dhe cilësisë në të gjitha proceset që lidhen me financat dhe shërbimet juridike”, cilësoi Rama.

“Inteligjenca artificiale po përdoret edhe në procesin e përafrimit të legjislacionit shqiptar me Bashkimin Europian, si dhe në administratën tatimore. Një ndër arsyet pse të ardhurat publike janë rritur pa rritur taksat lidhet pikërisht me përdorimin e platformave të inteligjencës artificiale, të cilat ndihmojnë administratën tatimore dhe doganore të identifikojë problematikat dhe rastet e riskut pa qenë nevoja për t’u lëshuar rrugëve dhe për të kapur ndonjë gjë në dyert e bizneseve”, vijoi ai.

Rama tha se “e gjithë kjo lidhet me qeverisjen elektronike dhe me ndërtimin e një shteti që funksionon mbi teknologjinë, një shtet më afër qytetarit, më efikas dhe më funksional”.

Kreu i Qeverisë pohoi se që të vijojë e gjithë kjo linjë, është e domosdoshme që i gjithë ekosistemi i inovacionit të ngrihet në një nivel të ri zhvillimi.

“Këtë e tregojnë edhe shenjat pozitive që po vijnë nga fusha e startup-eve. Brenda pak javësh do të disbursojmë një fond të ri, pasi rritja e numrit të aplikimeve këtë vit në “Startup Albania” ka tejkaluar fondin e planifikuar fillestar dhe është e qartë se nuk mund të presim vitin e ardhshëm për të mbështetur projektet më premtuese. Fondi për startup-et do të rritet ndjeshëm, me qëllim që t’u japim mundësi të gjithë talenteve shqiptare, jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë që përmes mbështetjes financiare të transformojnë jetën e tyre dhe të kontribuojnë në transformimin e vendit”, tha Rama.

/e.i/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›