HAGË – Gjykata e OKB-së do të dëgjojë apelin urgjent për gjenocidin në Gazë

HAGË, 14 maj /ATSH-DPA/- Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) caktoi sot seanca të mëtejshme në procedurat e gjenocidit kundër Izraelit për operacionet e tij ushtarake kundër militantëve të organizatës palestineze Hamas në Rafah.
“Gjykata më e lartë e Kombeve të Bashkuara do të merret të enjten dhe të premten me kërkesën urgjente të Afrikës së Jugut”, sipas nje njoftimi.
Afrika e Jugut po kërkon tërheqjen e menjëhershme të Izraelit nga Rafahu në jug të Rripit të Gazës për të parandaluar gjenocidin kundër palestinezëve.
“Sulmet kërcënojnë dëme të rënda dhe të pariparueshme për popullatën në Gazë dhe rrezik ekstrem për furnizimet me ndihma humanitare, shërbimet bazë dhe sistemin e kujdesit shëndetësor”, sipas padisë së Afrikës së Jugut.
E paraqitur kundër Izraelit në fund të vitit 2023, ai akuzon vendin për shkelje të detyrimeve të tij sipas Konventës së Gjenocidit, e cila u hartua pas Holokaustit.
Në një vendim urgjent, gjykata e OKB-së urdhëroi Izraelin të marrë masa mbrojtëse për të parandaluar gjenocidin. Izraeli gjithashtu duhet të lejojë më shumë ndihmë humanitare për njerëzit në Rripin e Gazës.
Megjithatë, në funksion të përshkallëzimit të fundit në Rafah, Afrika e Jugut beson se masat e urdhëruara nuk janë të mjaftueshme. Nuk dihet ende se kur do të vendosë gjykata për ankesën urgjente.
GJND-ja është vendi i Kombeve të Bashkuara për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet shteteve. Vendimet e tij janë të detyrueshme.//a.i/