E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Kjo qeveri nuk e meriton statusin

Me këtë ekspozitë, Partia Socialiste synon të përçojë mesazhin se e ardhmja e Shqipërisë është në Evropë.
Në fjalën e mbajtur, Rama shprehu besimin e tij të palëkundur se Shqipëria është e gatshme për të rilindur sërish duke kthyer një faqe të re të historisë së saj, në kapitullin e Bashkimit Evropian.

Sipas tij “Shqipëria nuk meriton thjesht një të ardhme evropiane. Ajo meriton një të tashme evropiane”.  “Bukuria e këtyre hartave të vjetra qëndron tek fuqia e jashtëzakonshme që ato ushtrojnë tek kushdo që bie në kontakt me to. Kur shoh këto harta historike unë shoh Shqipërinë time. Shoh një Shqipëri evropiane që ka qenë pjesë e këtij kontinenti prej shekujsh e shekujsh me radhë”, u shpreh ai.

Më pas, Rama përçoi edhe mesazhin e rëndësishëm të dhënies së statusit kandidat për Shqipërinë pavarësisht se pushteti nuk e meriton. Ashtu siç është shprehur edhe më herët lideri i opozitës, është populli ai që nuk mund të penalizohet për të tretën herë për shkak të keqqeverisjes.

“Dua që këtu të jap një mesazh të qartë: pushteti aktual mund të mos e meritojë statusin kandidat, por atë e meriton populli shqiptar. Prandaj këtu ju kërkoj dhe uroj që të gjithë ju të mbështesni popullin shqiptar. Por në të njëjtën kohë, ju kërkoj të jini dhe vigjilentë. E di nga përvoja e hidhur, se zgjedhjet në Shqipëri mund të fitohen dhe humben, jo me vota, por me manipulime dhe vjedhje. Nuk mund dhe nuk duhet të lejojmë që kjo të ndodhë sërish. Ju kërkoj të jini vigjilentë dhe të kuptoni rrezikun, dhe ju kërkoj të qartësoni paraprakisht pasojat serioze për ambiciet europiane të Shqipërisë, nëse praktikat e së kaluarës nuk mbulohen nga pluhuri i historisë, ku e kanë dhe vendin”.

Në cilësinë e liderit të opozitës, Rama iu është drejtuar krerëve të Parlamentit Evropian që ishin prezent me fjalët: “Unë e di se cilat janë pengesat dhe jam i gatshëm t’i heq ato. Pavarësisht problemeve në Eurozonë, e ardhmja jonë është në Evropë. Unë jam i bindur se rruga Evropiane është rruga e drejtë që duhet ndjekur. Unë jam i qartë për ndryshimet që na nevojiten dhe për përpjekjet që duhet të bëjmë për t’i arritur.”

Përshtypjet e pjesëmarrësve ishin të shumta. Libor Rouçek, zëvendëspresident i Socialdemokratëve në PE thotë në këtë Ekspozitë se është e rëndësishme të shihet se Shqipëria është në hartën e Evropës që prej 2000 vjetësh. “Ǒka është interesante dhe e rëndësishme të shihet është se Shqipëria është në hartën e Evropës që prej 2000 vjetësh. Është një komb i vjetër, pjesë e Evropës dhe e kujtesës tonë, nga librat dhe hartat e vjetra”, tha ai.

Angel Martines, zv/president i PE, një prej iniciatorëve të hapjes së kësaj Ekspozite në mjediset e Parlamentit Evropian thotë se “Kjo ekspozitë dëshmon përtej ç’do dyshimi që Shqipëria është pjesë e Evropës. Është pjesë e gjeografisë europiane, është pjesë e historisë evropiane, është pjesë e kulturës europiane, por Shqipëria ndan me ne jo vetëm gjeografinë, historinë dhe kulturën, por edhe problemet që ndajmë të gjithë. Shqipërisë i ka munguar fati jo vetëm gjatë diktaturës së tmerrshme, pasi më parë Shqipëria ka qenë një tokë pushtimesh, shfarosjesh të të gjitha formave dhe një vend që nuk ka pasur shumë falënderime për t’ju dhënë shumë evropianëve, përfshirë këtu edhe demokratët evropianë.”

Eduard Kukan, Kreu i delegacionit për Ballkanin në PE, që vjen nga partitë e djathta të këtij parlamenti është shprehur se hapja e kësaj ekspozite është një ndihmë për vendin dhe një mesazh shumë i rëndësishëm për të njohur lashtësinë e qytetërimin e vendit: “Është shumë mirë që kjo ekspozitë u organizua pasi shumë njerëz në Europë, apo në vetë Parlamentin Europian as nuk e kanë idenë sa e lashtë, e qytetëruar dhe historike është Shqipëria. Kjo e ndihmon vendin tuaj dhe përbën një mesazh të rëndësishëm. E në këtë kuptim, është një iniciativë e mirë e Partisë Socialiste së bashku me grupin e Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian, dhe si rezultat është një ngjarje shumë e mirë dhe fisnike për Shqipërinë.” Përreth katër ditë, në ambientet e Parlamentit Evropian në Bruksel u ekspozuan 50 harta dhe 50 libra mbi Shqipërinë. Në javët e ardhshme kjo ekspozitë do të zhvendoset në Tiranë ku do të jetë e hapur për publikun shqiptar. /Start/

                                                                                             2012-09-21 08:48
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›