E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Kongresi ka arsye për të më votuar

“Dua ta theksoj shumë qartë. Unë kam propozuar vendosjen në statutin e PS të nenit që i ndërpret mandatin kryetarit në rast të humbjes së zgjedhjeve dhe që i imponon dorëheqjen e kreut të partisë. Mandati im është ndërprerë dhe unë jam një kryetar në detyrë dhe një kandidat për të udhëhequr PS për 4 vitet e ardhshme”, ka thënë Rama. Kreu në detyrë i partisë më të madhe në opozitë, ka theksuar se do të jenë anëtarët e Kongresit të PS-së ata që do vendosin për të ardhmen e postit të kryetarit.

“Jam një kandidat për këtë detyrë, sepse besoj që populli shqiptar më 28 qershor nuk ka votuar kundër projektit tonë politik, por për largimin e Sali Berishës dhe deformimi i këtij vullneti bën që anëtarësia e PS të vendosë, nëse ky projekt duhet të vazhdoje dhe nëse PS duhet të pranojë zgjedhjet e 28 qershorit si mjaftueshmërisht të lira e të ndershme për të pranuar dhe humbjen e njohur legjitimitetin e kësaj qeverie apo PS duhet të rezistojë ndaj kësaj maskarade zgjedhore”, - vijon lideri i PS-së, i cili duket i vendosur për mbajtnen e postit, pavarësisht kritikave të shumta. 

Sipas tij, Kongresi do t’i ketë të gjitha arsyet për t’i dhënë mundësi pakicës të shprehet dhe të veprojë, por edhe shumicës të vendosë dhe të mos ndjehet e kërcënuar nga pakica. “Unë nuk i jam përgjigjur baltës me baltë dhe mllefit me mllef, kur ka qenë fjala për kundërshtarët e hapur politikë, të cilët nuk kanë kursyer as të gjallët dhe as të vdekurit e familjes time dhe asnjëherë, as sot, as nesër, nuk do ta bëj këtë gjë, jo e jo me njerëzit brenda partisë”, tha ndër të tjerash Rama. Edhe një herë tjetër, ai ka deklaruar se ishte në garë për të vijuar luftën, sipas tij me politikën e vjetër.

 “....dua të ritheksoj se unë jam në këtë garë brenda PS për të vazhduar betejën me Berishën, betejën me politikën e vjetër që duke grabitur Shqipërinë, korrupton zgjedhjet dhe duke korruptuar zgjedhjet rimerr të drejtën për të grabitur Shqipërinë. Një qeveri që nxjerr në pah lidhje të vjetra, interesa të reja të asaj politike të vjetër, që tashme është e bashkuar dhe e mishëruar jo thjesht në binomin Berisha-Meta, por në trinomin Berisha-Meta-Nano. Koha është e maskarenjve, por Shqipëria është e shqiptarëve”, - përfundon Rama.

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›