Rama: Tiranën moderne e bëmë ne, kur bashkinë e mori këneta ndaloi dhe Sahati

TIRANË, 20 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Tiranën moderne e ndërtoi Partia Socialiste dhe se edhe një herë të vetme që e mori drejtimin Partia Demokratike koha ndaloi dhe edhe vetë Sahati i Tiranës.
Rama tha se rrugëve nisën t’u hapeshin gropat dhe qyteti mori erën e kazanëve të plehrave.
“Këneta thotë se Tiranën modern e bëri koha, ndërsa përmbytjet, apo çfarë do tjetër që nuk shkon, i bën bashkia. Por jo,Tiranën moderne nuk e bëri koha, e bëmë ne. Tiranën moderne e bëra unë, Lali Eri, e bëtë ju. E bënë grupet dhe këshilltarët bashkiakë socialistë dhe progresistë, të gjithë ata që në 24 orë, për vite e vite me radhë ndërrojnë turnet që Tirana të gdhihet e pastër”, u shpreh Rama.
Kryeministri shtoi këtu se Tirana si një ndër qytetet më të pastra është evidentuar edhe nga turistë të shumtë që e vizitojnë atë.
“Dhe Tiranën e bënë ata që na dhanë besimin me votë 7 herë në 7. Dhe atëherë të vetme nga të 7-ta, kur bashkinë e mori këneta, ashtu siç e mori në vitin 2011, koha ngeci dhe vetë Sahati i Tiranës ndaloi dhe kryeqyteti rinisi të marrë erën e kazanëve të plehrave”, theksoi ai.
Ndërsa rrugëve, shtoi kryeministri, nisën t’u hapen gropat në trup. /j.p/