E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Ky është fillimi i protestave për lirinë e votës

Në një protestë paqësore para disa mijëra protestuesish, kryetari i PS-së, Edi Rama, ripërsëriti edhe njëherë bindjen se "PS nuk hyn në Kuvendin e dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit për t'u bërë bashkëfajtore dhe për t'i dhënë fund mundësisë për të patur zgjedhje të lira e të ndershme në Shqipëri".

Ai paralajmëroi se "protesta e sotme është fillimi i protestave për lirinë e votës", duke shtuar se "kjo është vetëm hapja e një sezoni protestash në çdo shesh dhe në çdo rrugë të Shqipërisë, sepse ne nuk do të ndalemi përpara asgjëje në kërkimin e të drejtës sonë, e cila as nuk shitet, as nuk negociohet”.

Rama kërkoi që "zgjedhjet e 28 qershorit dhe çdo element që lidhet me to të hetohet nga Parlamenti  i Shqipërisë", duke shtuar se kutitë e votimit duhet të hapen në sytë e gjithë Shqipërisë.

Në tribunën e inskenuar para selisë së Kryeministrisë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit morën fjalën kryetarë të partive të majta aleate të Partisë Socialsite.  Kreu i PDS-së, Paskal Milo, kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, kreu i PBDNJ Vangjel Dule dhe kreu i G99 Erion Veliaj theksuan parregullsitë e zgjedhjeve të 28 qershorit ku sipas tyre nuk u respektua vota e fshehtë.

Kuvendi i ri i Shqipërisë, i dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit, u konstituua më 7 shtator, pa praninë e deputetëve të Partisë Socialiste në opozitë, e cila ka vënë si kusht për pjesëmarrjen transparencen e plote te zgjedhjeve te 28 qershorit.

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›