Rama: Lançojmë së shpejti programin e ri “Dyfisho ndërmarrjen tënde”. Asnjë kryetar bashkie nuk rikandidon pa 10 kontrata të firmosura për Paketën e Maleve

“Dyfisho ndërmarrjen tënde”, është programi më i ri që qeveria do lançojë së shpejti. Lajmi u bë me dije nga Kryeministri Edi Rama në Asamblenë Kombëtare të PS-së. Ai theksoi se shumë biznese të vogla dhe të mesme kanë potencial për t’u zgjeruar, por u mungojnë instrumentet financiare për ta bërë këtë.
Sipas Ramës, programi synon të krijojë mekanizma mbështetës financiarë për sipërmarrjet, me fokus të veçantë te bizneset e vogla dhe të mesme, të cilat do të kenë mundësi të rrisin aktivitetin e tyre.
“Ndërkohë po përgatisim një tjetër program që do lançohet së shpejti: ‘Dyfisho ndërmarrjen tënde’, për t’u dhënë shqiptarëve që kanë ngritur një ndërmarrje të vogël në territor. Të rriten. Të shkojnë më tutje, por ju mungojnë instrumentet financiare, mundësia që t’i financojnë këto ndërmarrje. Kur kam parasysh ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që do mbështeten në këtë instrument financiar”, deklaroi ai.
Rama theksoi gjithashtu se kjo nismë lidhet edhe me vëmendjen ndaj shqiptarëve në diasporë, si një mënyrë për t’u ofruar mundësi konkrete zhvillimi dhe investimi në vend.
“Kjo është një tjetër rrugë për t’u kthyer shqiptarëve që janë në diasporë dhe që morën pjesë në zgjedhje, atë vëmendje që kanë nevojë”, përfundoi Edi Rama.
Ky i fundit theksoi se asnjë kryetar bashkie nuk do të rikandiohet në zgjedhjet e 2027-ës pa 10 kontrata të firmosura për Paketën e Maleve.
“Paketa e maleve është për ata që si kanë titujt e pronësisë të certifikuar. Zgjedhjet vendore s’kanë pjesëmarrjen e diasporës, por janë momenti për t’i kthyer diasporës vëmendjen që meriton me fakte, jo me takime, festa, por me fakte. Ka dy elementë që të gjithë i kanë në dispozicion, Paketa e Maleve. Nuk do të ketë asnjë kandidat që do rikandidojë për kryetar bashkie, që nuk kanë 10 kontrata për paketën e maleve dhe pa 3 ndërmarrje të përbashkëta të miratuara. Është e pamundur që kjo gjë të thuhet dhe stërthuhet dhe ndërkohë reforma territoriale i vendosi bashkive në qendër gjithë atë territor rural në dispozicion dhe ai territor shikohet vetëm për punët komunale. Ky është një kusht që të gjithë duhet ta mbajnë parasysh nëse duan të rikandidojnë përsëri”, tha Rama.
/rtsh.al/