E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Matanë oqeanit zbardhi një ditë e re për Amerikën

Dje matanë oqeanit zbardhi një ditë e re për Amerikën dhe nisi të rrezatojë një dritë që do të ndriçojë rrugën e vështirë të botës së lirë, edhe të Shqipërisë sonë të vogël, në një moment kur më shumë se kurrë njerëzit kanë nevojë për një politikë të re. Me këto fjalë u shfaq dje para medias kreu i socialistëve, Edi Rama, teksa përshëndeti mandatimin zyrtar të Barak Obamës në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në këtë moment, tha Rama, Amerika na mëson se është bashkimi i njerëzve të thjeshtë, përtej kufijve të vjetër të politikës së politikanëve, që mund të sjellë ndryshimin e shumëdëshiruar në jetën e një vendi e të gjithsecilit. "Për këtë mësim të paçmuar, ne sot bashkohemi me të gjithë qytetarët e botës së lirë, në shprehjen e mirënjohjes për lajmësin e ditës së re, Presidentin e 44-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama", vijoi ai. S‘ka dyshim, vijoi kreu i opozitës, se vendi ynë gjendet në një krizë të gjithanshme, të cilën s‘mund ta fshehin as mekanizmat e vjetër të një propagande qeveritare, sa arkaike aq edhe fyese për inteligjencën e njerëzve. Sipas tij, ekonomia jonë është në krizë, shkolla e spitalet tona janë në krizë, institucionet tona janë në krizë. Teksa varfëria e papunësia janë ulur këmbëkryq në çdo qytet e fshat të Shqipërisë si rezultat i papërgjegjshmërisë së politikanëve që na kanë qeverisur keq e na qeverisin si mos më keq. Por, insistoi Rama, kjo gjendje nuk mund të ndryshojë përveçse si rezultat i vullnetit e bashkimit të atyre që prej 18 vjetësh mbeten të keqqeverisur, njerëzve të thjeshtë të këtij vendi. Në vlerësimin e Ramës, shembulli i gjallë dhe fjalët e rralla të Presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kanë një vlerë të jashtëzakonshme, jo vetëm për vendin më të fuqishëm të botës, por, edhe për çdo vend tjetër ku njerëzit duan një punë dinjitoze, një shtet në shërbim të tyre, një të ardhme për fëmijët e tyre. "Për këtë shembull të paçmuar edhe për Shqipërinë e shqiptarët, që duan ndryshimin e begatimin e atdheut tonë dhe që tek Amerika e sotme shohin se si njerëzit e zakonshëm realizuan një ëndërr të jashtëzakonshme", konstatoi Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›