E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kredia e butë, bizneset që përfitojnë dhe kushtet

Bizneset me kapital themeltar mbi 51 për qind shqiptar mund të marrin kredi deri në 500 mijë euro, me interes 5.5 për qind në euro, ose 8.5 për qind në lek. Gazeta sjell detaje rreth marrëveshjes së firmosur dy ditë më parë me palën italiane, duke mësuar se cilat biznese përfitojnë, cilat përjashtohen, afati, interesi, shumat dhe mënyra e aplikimit. Duke folur për "Shqip", drejtoresha e programit "Për zhvillimin e sektorit privat në Shqipëri", Lauresha Grezda, thotë se iniciativa për të dhënë kredi me terma të butë konsiston në mbështetjen që u jepet bizneseve të vogla dhe të mesme, kryesisht prodhuese. Kredi të butë mund të përfitojnë edhe ato biznese që kanë pak kohë që janë krijuar. Në muajin mars do të nisë puna për akordimin e kredive me këste nga 50 mijë deri në 500 mijë euro, gjithnjë në varësi të plan-biznesit dhe plotësimit të kushteve të paraqitura në program.

Vështirësia për të marrë kredi nga bankat është rritur në tre muajt e fundit, nisur nga situata e pafavorshme që po përjetojnë institucionet ndërkombëtare financiare, të cilat janë të lidhura me bankat tona në Shqipëri. Niveli i kreditimit, edhe pse i lartë, ka pësuar rënie, ndërsa kërkesa e biznesit për financime vazhdon të mbetet e lartë. Në këto kushte, qeveria firmosi një marrëveshje me palën italiane, në mënyrë që të jepet një fond prej 30 milionë eurosh, i cili do të përdoret nga pesë banka të nivelit të dytë në drejtim të atyre bizneseve që do të kërkojnë financime.

Kushtet

Bizneset e vogla dhe të mesme duhet të paraqesin projekte me limit kredie nga 50 mijë deri në 500 mijë euro. Jo më pak se 70 për qind e vlerës së financuar të projektit duhet të përdoret për blerjen e lëndës së parë, pajisjeve, teknologjisë, asistencës teknike, përfshirë trajnime, mirëmbajtje, pjesë këmbimi dhe licence industriale me origjinë italiane. Pra, të gjitha këto mallra dhe shërbime duhet të blihen te prodhuesit italianë në jo më pak se 70 për qind të sasisë. Po ashtu, jo më shumë se 30% e financimit të kërkuar për çdo projekt të vetëm, mund të përdoret për mbulimin e kostove lokale të këtij projekti.

Përjashtohen nga kredia e butë taksat lokale, taksat doganore, TVSH-ja, si dhe kapitali qarkullues (duke përjashtuar shumën fillestare që nevojitej për çeljen e aktivitetit të nisur rishtazi (start-up). Përjashtohen edhe ato subjekte joint venture, ndërmarrjet tregtare dhe financiare të përkohshme. Tjetër faktor i rëndësishëm është se programi i dhënies së kredive me terma të butë ndalon financimin ndaj atyre subjekteve që lidhen me sektorin e kohës së lirë (bar-restorantet-hotelet), pasuri të patundshme, armatime, pije alkoolike, duhan etj.

Projektet e vogla

Jo më shumë se 2.5 milionë euro mund të përdoren për të financuar projekte të reja, me një vlerë që varion nga 15000 deri në 50000 euro. Afati i shlyerjes së kredisë është 4 vjet. Nëse biznesi kërkon dy vjet kohë mospagim kësti, atëherë e gjithë periudha e shlyerjes është 5 vjet (përfshi edhe dy vjet mospagesë).

Aplikimi te banka

Biznesi i interesuar për të marrë kredi të butë duhet t‘i drejtohet njërës prej pesë bankave që janë të përfshira në program. Çdo bankë do të kërkojë nga biznesi që aplikon dokumentacionin e nevojshëm për kërkesën e financimit, dhe pas shqyrtimit të kërkesës do të firmosë kontratat e huasë brenda 25 ditëve.

Prioritetet dhe kushtet më të favorshme

Janë konsideruar si prioritare:

NVM prodhuese
NVM eksportuese (eksport i të paktën 50% të totalit të shitjeve)
NVM të themeluara rishtazi, nga nënshtetas shqiptarë, rezidentë në Itali
NVM të përqendruara në zona/parqe industriale të vendit

Projekte/Sektori:

Sektori i agrikulturës dhe agro-ushqimor
Projekte për prodhimin natyror të energjisë ose projekte për eficencën/ruajtjen e energjisë.
Projekte me impakt të ulët ambiental ose që ulin ndotjen e mjedisit
Projekte që krijojnë vende të reja pune
Projekte të lokalizuara në zonat më pak të zhvilluara të vendit (jashtë zonës Tiranë-Durrës)
Kushtet më të favorshme:

Projektet prioritare me një vlerë që varion nga 50000 në 150000 euro përfitojnë automatikisht një periudhë të shlyerjes për 5 vjet, përfshirë dhe periudhën 2 vjet të mospagimit (paguhet vetëm interesi)

Projektet prioritare me një vlerë që varion nga 150001 në 500000 euro përfitojnë automatikisht një periudhë të shlyerjes për 8 vjet, përfshirë dhe periudhën 2 vjet të mospagimit (paguhet vetëm interesi)

NMV-Ndërmarrje e Vogël dhe e Mesme



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›