E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Fiks Fare" zbuloi faktet e korrupsionit në konsullata

Replikat mes strukturave të shtetit dhe funksionarëve të opozitës vijnë pas investigimeve të kryera nga emisioni "Fiks Fare". Gazetarët kishin si objektiv hulumtimin e abuzimeve që kryhen në përfaqësitë tona jashtë vendit. Rezultoi se një lejekalimi në konsullatën shqiptare të Milanos, nëse nuk do të tregosh pasaportën, kushton 150 euro. Lejen e kalimit mund ta marrë kushdo, pa u verifikuar fare. Mjafton të paguajë nën dorë. Nuk duhet të presësh as në radhën e gjatë, që mbajnë emigrantët para konsullatës në "Piazza Duomo". Në konsullatën shqiptare të Barit situata është ndryshe. Në sportelin e kësaj konsullate nuk mund të marrësh leje-kalimi pa u paraqitur vetë përpara konsullit. Por edhe këtu nuk u kushtojnë shumë rëndësi dokumenteve të identifikimit. Duke paraqitur vetëm një fotokopje të pasaportës të panoterizuar, mund të sigurosh lejen e kalimit. Pas investigimit në konsullatën e Milanos dhe atë të Barit, grupi i "Fiks Fare" shkoi në ambasadën shqiptare të Romës. Para se të merrte dokumentin gazetari, në një letër, ku kishte futur certifikatën dhe fotografitë, i dha konsullit edhe 50 euro. Më pas, ky i fundit i dorëzoi lejen e kalimit. Në konsullatën shqiptare të Selanikut mund të pajisesh edhe me pasaportë, pa u paraqitur fare në sportel. Gjithçka bëhet e lehtë duke u paguar vetëm 100 euro bashkish sekserëve që bashkëpunojnë me shoferin e konsullit Thoma Nini, i cili siguron prokurën e firmosur nga vetë konsulli. Për një pasaportë të re në ambasadën shqiptare të Athinës duhet të paguash 300 euro për të marrë një prokurë të posaçme. Prokurën e posaçme e merr pa paraqitur asnjë lloj dokumenti, vetëm një fotokopje pasaporte, madje nuk të duhet të paraqitesh fare në sportelin e ambasadës. Gjithçka e merr të vulosur e të firmosur.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›