Rama: Mbështetje maksimale për fëmijët e atyre që humbin jetën në krye të detyrës!

Kryeministri Edi Rama prezantoi këtë të hënë nismën e re ligjore për statusin “Fëmijë nën kujdesin e Republikës”., Nisma që hyn në fuqi nga janari 2022 siguron mbështetje maksimale nga shteti për fëmijët e atyre që humbin jetën në krye të detyrës. “Me votën e sotme kuvendi do të përcaktojë një status të ri, për të gjithë fëmijët apo personat nën kujdestari të dëshmorëve të atdheut, mjekëve dhe infermierëve që kanë humbur jetën si rezultat i pandemisë në krye të detyrës, të personave që kanë humbur jetën në krye të detyrës për mbajtjen e pronës, të shtetasve shqiptarë që kanë humbur jetën si pasojë e kryerjes së ndihmës në kushte të emergjencës. Shteti do të marrë në kujdes të veçantë fëmijët e këtyre kategori prindërish për të lehtësuar përballimin e një vijueshmërie jete. Statusi fëmijë në kujdesin e republikës, përfitohet nga fëmijët deri në 18 vjeç dhe nëse ndjek shkollën e lartë deri në 25 vjeç” tha kryeministri.
Në seancën e sotme plenare, kryeministri Edi Rama bëri me dije kategoritë që do të përfitojnë nga statusi i fëmijëve në kujdesin e Republikës.”Të gjithë nënat me tre ose më shumë fëmijë me skemën e ndihmës ekonomike do të përfitojnë dyfishin e ndihmës ekonomike, ashtu si vajzat dhe gratë e trafikuara dhe të dhunuara. Ashtu edhe nënat me fëmijë me aftësi ndryshe dhe jetimët, këtyre u shtohet edhe një tjetër kategori, për statusin fëmijë në kujdesin e republikës. Një nismë që mishëron një ambicie dhe materializon një qasje të vazhdueshme të shumicës qeverisëse në raport me ato që ndihen më të dobët”, njoftoi zoti Rama.