E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Më 1 maj, protesta më e gjatë e këtij populli

Darka Berisha-Nano? Nuk ka asgjë të re

Protesta e rrugës është transformuar tashmë në një instrument shterues për politikat e opozitës socialiste. Një ditë pas konferencës për shtyp të Kryeministrit Sali Berisha, kreu socialist, Edi Rama, ka dhënë përgjigjen e vet që përtej aspektit përshkrues të qeverisjes së tanishme ka paralajmëruar edhe për reagimin e Partisë Socialiste. Reagimi nuk kushtëzohet nga zhvillime anësore për PS, sikurse është konsideruar takimi Berisha-Nano, të cilin kreu i PS e ka minimizuar plotësisht në rolin e vet, duke thënë se nuk përbënte asgjë të re. “30 prilli do të jetë dita kulmore e protestave të përditshme që po zhvillohen kudo për hapjen e kutive të krimit elektoral dhe 1 maji do të gdhijë si dita e betejës qytetare për nxjerrjen e ekonomisë së vendit nga kutia e një krize që thellohet përditë...”, u shpreh kreu i PS. Ai e ka cilësuar aktivitetin e parashikuar si “protestën më të gjatë e më të madhe që një popull mund të bëjë për të ndalur rrënimin e provokuar nga qeveria e vet”. Kështu aktiviteti i fundprillit ka krijuar një pritmëri të lartë, jo vetëm për shkak të perspektivës që i jep terminologjia e përdorur, por edhe fakti se PS dhe drejtuesit e saj kanë maksimalizuar objektivat e tij politikë. Sipas asaj që është bërë e njohur së fundmi edhe nga aleatët e tjerë të selisë rozë, demonstrimi më 30 prill–1 maj synon kalimin në zgjedhje të parakohshme përmes rrëzimit të qeverisë, çka e kthen vetiu afatin e vënë në një moment përcaktues politik për krizën e tanishme. Por në këtë drejtim ka dhënë sinjale domethënëse edhe toni deklarativ i kreut socialist, që nëse nuk jep të dhëna sqaruese për protestën nuk ka ngurruar që të afirmojë vendosmërinë për kundërshtimin nga rruga të Sali Berishës. Situata ekonomike e rënduar, papunësia e dokumentuar tanimë edhe nga shifra zyrtare, janë shkaqe të mjaftueshme për të legjitimuar aksionin opozitar që parimisht i përmbahet me forcë argumentit elektoral si burim origjinal i krizës. “Kjo e keqe i ka rrënjët te kutitë e mbyllura të votimit dhe fajtori i vetëm për këtë gjendje alarmante të demokracisë e të ekonomisë së vendit është keqqeverisja që duhet ndalur me çdo kusht”, vijoi kryetari i Partisë Socialiste. Një premtim për të ndaluar me çdo kusht Sali Berishën dhe qeverisjen e tij është ligjëruar kështu si devizë e protestës së mbingarkuar në objektiva politikë e që gjithsesi pritet të verifikojë suksesin e vet. Pika më e diskutueshme në këtë aksion të selisë rozë mbetet kapaciteti mobilizues i saj përmes argumenteve të veta dhe jo legjitimiteti i protestës. Një analizë e rezultateve të fundit elektorale jo vetëm e dëshmon më së miri këtë, por edhe ushqen ambicien e saj për kalimin në zgjedhje të parakohshme. Në këtë kuptim, suksesi ose jo i protestës si demonstrim i forcës së opozitës varet më shumë nga elementë teknikë që kanë të bëjnë me kulturën e reagimit dhe jo me aprovimin ose jo të qytetarëve ndaj saj. Ballafaqimi i “protestave” në vjeshtën e kaluar flet qartë për këtë gjë, por edhe për replikën e pritshme të pushtetit. Gjithsesi Rama ka bërë të qartë dje se komunikimi politik nga rruga është një mjet të cilin opozita nuk do ngurrojë ta përdorë edhe pse siç tha ai “protestat janë mjeti që populli ka në dorë për të zbrapsur fuqinë abuzive të një qeverie”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›