Kapet familja me 25 kg drogë për dhëndrin
Ishte nisur nga një fshat i thellë i Fushë-Krujës me djalin, nipin dhe dhëndrin për të çuar 25 kg kanabis në një banesë në Kamzë. Donte ta shiste, por askush nuk shkonte për ta parë cilësinë e drogës në fshatin e tij të largët për shkak të terrenit të vështirë, e për këtë përdorte banesën e dhëndrit, që i ka kushtuar shumë, ku takohej me blerësit. Por, rruga e dy netëve më parë nuk ka përfunduar, pasi të katërt janë kapur në një fuoristradë, në bagazhin e të cilës kishin katër çantat e mbushura me 25 kg kanabis. Operacioni në fjalë është realizuar nga forcat e Komisariatit Nr. 5, në bashkëpunim me antidrogën e kryeqytetit dhe njësinë e operacioneve speciale. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë mesnatës, nga këto struktura u bë i mundur sekuestrimi i sasisë së lëndës narkotike, si dhe u vendosën nën pranga katër persona, si përdorues dhe shpërndarës të saj. Gjatë operacionit të koduar “Terreni i Vështirë” u realizua arrestimi i Zeqir Karajt, 46 vjeç, djalit të tij 20-vjeçar, Idajet Karaj, nipit Meslim Karaj, 19 vjeç dhe dhëndrit Kujtim Murati, 19 vjeç. Tre të parët banonin në Mafsheq të Krujës, ndërsa i katërti në Kamzë. Ata u kapën në vendin e quajtur Zall Herr, pranë Urës së Bovillës, ku pas një kontrolli të ushtruar në automjetin tip “Fuoristradë Nissan” me targa KR 6415 A , u sekuestrua sasia prej 25 kg kanabis. Lënda narkotike vinte nga qyteti i Krujës, me destinacion Kamzën, te banesa e dhëndrit. Aty takoheshin blerësit, të cilët e përdornin kanabisin për shitje në Kamzë dhe në Tiranë. Ata, për të mbërritur në Kamzë e Tiranë, me synim për t’ju shmangur shërbimeve të policisë, kalonin në një terren të vështirë buzë malit përmes fshatrave Noj, Bruz, Curril deri në Urën e Bovillës, ku dhe u kapën në flagrancë. Informacioni për këtë drogë ishte dhënë nga informatorët e Komisariatit Nr. 5, të cilët kishin treguar mënyrën e shitjes së saj. Nga ana tjetër, në momentin e ndërhyrjes, policia ka menduar se ata ishin të pajisur edhe me armë dhe që mund të kishin shkëmbim zjarri. Kështu, pavarësisht vëzhgimit, operacioni është lënë të zhvillohet në rrugë kryesore, ku me makina civile, makina i ka prerë udhën mjetit të tyre, duke i vënë në pranga. Strukturat e Policisë së Tiranës, në vazhdimësi të operacioneve të realizuara antidrogë, kanë kryer një sërë goditjesh, me fokus luftën kundër kultivimit të kanabisit, të cilat deri më tani kanë dhënë rezultate në drejtim të goditjes së këtij fenomeni.
#