E Diel, 1 Nëntor 2026

Goldman Sachss fitime maksimale, por nuk i shpëton dot hetimeve

Shefi i bankës deklaroi dje se nuk i kishte zhgënjyer klientët asnjëherë

Banka amerikane “Goldman Sachs’s” ka parë rritjen e të ardhurave dhe fitimeve të saj për tremujorin e parë të këtij viti që të dyfishohen. Banka raportoi se fitimet e saj kanë qenë 3.46 miliardë dollarë për tre muajt e parë të vitit, ndërkohë që një vit më parë, për të njëjtën periudhë, bëhej fjalë për gjysmën e kësaj shifre.

“Goldman Sachs’s” bëri të ditur gjithashtu se punonjësve të saj për punën e mirë të bërë u pagoi 5.5 miliardë dollarë në kompensime dhe bonuse. Si pasojë e kësaj ecurie, pritet që edhe të ardhurat e vitit për këtë bankë të jenë shumë më të mira nga sa priteshin. Sipas analistëve bëhet fjalë për shifra fitimi spektakolare. Vlera e aksioneve të bankës u rrit dje me 2%. Sipas llogarisë, 5.5 miliardëshi i dollarëve të bankës do t’u ndahet të 33 mijë nëpunësve të saj, që do të thotë se secili do të marrë një mesatare prej rreth 150 mijë dollarësh fitim. Banka ndërkohë akuzohet nga SEC, një institucion mbikëqyrës financiar në Shtetet e Bashkuara, për mashtrim të klientëve në kurriz të parave të tyre, gjatë periudhës para dhe gjatë krizës financiare. Sipas akuzës, banka nuk u tregua transparente me klientët dhe nuk i informoi ata për rrezikun që do t’u vinte nga blerja e një produkti të pasigurt.

Pavarësisht shifrave shumë të larta të fitimit duket se sytë e të gjithëve janë përqendruar te çështja e akuzave të ngritura ndaj bankës. Kjo bankë doli si një nga më të fituarat nga kriza ekonomike, por tani i duhet të përballet me një hetim që më së pakti do t’i dëmtonte reputacionin. “Goldman” është një nga bankat më me influencë të “Wall Street” dhe ndër më të fuqishmet si bankë investimesh. Banka deri më tani nuk ka pranuar asnjë akuzë dhe shefi i saj deklaroi se dje, banka nuk do t’ia lejonte vetes që të zhgënjente askënd.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›