E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Më 30 prill rikthehemi në shesh

Asambleja e PS vendos nisjen e protestave. Në Kuvend vetëm për transparencë

Socialistët kanë vendosur dje nisjen e protestave dhe qëndrimin në Parlament, por vetëm për të kërkuar transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Mbledhja e Asamblesë Parlamentare të Partisë Socialiste, pas diskutimeve prej më se tri orësh, ka vendosur më në fund që në muajin e ardhshëm të zhvillohen një seri protestash në të gjithë vendin, deri në tubimin final të datës 30 prill në kryeqytet, i cili parashikohet të jetë më i madh se ai i nëntorit. Gjithashtu legjislativi i socialistëve ka vendosur që grupi parlamentar i opozitës do të marrë pjesë në çdo seancë parlamentare, por vetëm për të kërkuar transparencën e zgjedhjeve. Një tjetër vendim i Asamblesë ishte mbledhja e Kongresit më datën 18 prill, pra një javë para protestës.

Rama

Lideri i opozitës, Edi Rama, në fjalën e mbajtur në fillim të punës së Asamblesë, deklaroi se mazhoranca ka sfiduar hapur jo vetëm shqiptarët dhe ndërkombëtarët, por vetë demokracinë, ndaj protestat janë një veprim i detyrueshëm i opozitës. “Duke mohuar transparencën dhe duke shkelur çdo normë të bashkëjetesës me opozitën në Parlament, pushteti e bëri të detyrueshme për popullin opozitar daljen në rrugën e protestës. Ku ne do t’i ftojmë të gjithë që nga java e ardhshme. Ku ne do të jemi më gjithkënd që do të dojë të protestojë për çdo padrejtësi të këtij pushteti. Ku ne do të kërkojmë të hapen kutitë e mbyllura të zgjedhjeve, të ekonomisë, të drejtësisë, të lirisë së konkurrencës e të medias dhe të çdo të drejte e lirie tjetër që kufizohet përditë nën keqqeverisjen e pushtetit të Ruzhdies”, deklaroi kreu i socialistëve shqiptar. Më tej, kreu socialist deklaroi se opozita ka demonstruar të gjithë arsenalin e saj politik dhe qytetar, për arritjen e një konsensusi për zgjidhjen e krizës, por mazhoranca, sipas tij, është përgjigjur me politikën e vjetër. Duke përgëzuar grupin parlamentar socialist për performancën në seancat e 18 e 19 marsit, kreu i selisë rozë, deklaroi se tashmë opozita do të dalë në protestë për të gjitha arsyet që shqiptarët ndjehen të pakënaqur nga qeveria: “Ta adoptojmë 30 prillin, si datën e rikthimit në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, të së gjithë masës qytetare protestuese, që nga çdo qytet e çdo fshat i Shqipërisë duhet të ftohet të vijë pasi ne, gjatë gjithë këtij muaji, kemi shkuar në çdo qytet dhe fshat të Shqipërisë, për t’u bërë bashkë me ta zëdhënës të halleve dhe të problemeve të tyre”.

Diskutimet

Edhe pse nuk është përvijuar nga polemika të ashpra, në mbledhjen e djeshme janë zhvilluar diskutime nga anëtarët e Asamblesë për situatën politike. Deputeti socialist, i zgjedhur në Qarkun e Tiranës, Artan Gaçes, bëri thirrje që opozita duhet të fokusohet më shumë në problemet e mbrojtjes së dinjitetit kombëtar dhe në përkrahjen e emigrantëve. Deputeti Gaçe theksoi se opozita nuk mund të lërë në harresë çështjen kombëtare dhe ka ilustruar si temë beteje për të majtën rastin e kufirit detar, por edhe të varrezave të ushtarëve grekë.

“Kësaj qeverie dhe atyre deputetëve të mazhorancës, që për arsye korruptive ishin të gatshëm të zvogëlonin dhe sipërfaqen e Shqipërisë, ne nuk duhet t’ua falim kurrë këtë”, tha Gaçe, i cili i bëri thirrje grupit parlamentar socialist që të “ndeshen” me kundërshtarin pa komplekse. Në mbledhjen e djeshme të Asamblesë nuk ka pasur në fakt polemika të forta kryesisht nga ana e deputetëve të LMN-së. Dje kanë qenë prezentë vetëm Ben Blushi dhe Arben Malaj.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›