E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nusja 17-vjeçare: Ika se nuk isha e lirë

Erlinda Mulla gjendet në Fier, me një djalë që e kishte njohur nëpërmjet gazetës

Erlinda Mulla, vajza e larguar nga banesa rreth 10 ditë më parë, u gjet në orët e para të mëngjesit të djeshëm, por ajo nuk donte të kthehej te burri. “Nuk kam lirinë e duhur dhe nuk përshtatem me traditën e familjes së burrit, dua të jetoj në mënyrën time. Prandaj jam larguar dhe nuk dua të kthehem”. Kështu është shprehur ajo në praninë e oficerit të policisë, kur është sjellë nga Fieri në Kamzë, ku u gjet rreth orës 03:00, duke qëndruar në lulishten kryesore të qytetit, bashkë me një djalë 20-vjeçar.

Rrëfimi i historisë

Historia e vajzës është zbuluar nga efektivët e Komisariatit Nr. 5, të cilët që prej dhjetë ditësh e kërkonin, e kanë mundur të bien në gjurmët e saj, veç kur ajo ka bërë një telefonatë te kushëriri i saj në Greqi. Ajo u largua dhjetë ditë më parë nga banesa rreth mesditës, me pretekstin se do të dilte të blinte një paracetamol. E martuar prej më shumë se një viti, ajo jetonte në familjen e burrit, pavarësisht se ai ishte emigrant në Itali. Familjen e saj e kishte ngjitur me banesën ku jetonte. E mërzitur brenda shtëpisë dhe pa asnjë motiv për të shtyrë ditën, ajo ka filluar të blejë gazeta. Aty ka gjetur një djalë, i cili kishte lënë numrin e telefonit dhe ka dashur të kontaktojë me të, pavarësisht se telefon nuk kishte. Në këto momente, në mendje i ka lindur ideja që të marrë telefonin e vëllait. Natën vonë, kur është shtrirë për të fjetur gjumë, në një dhomë ku ishte edhe djali i kunatit të saj, ajo i ka rënë numrit të tij dhe ka nisur të bisedojë, duke i treguar edhe si e kishte kontaktuar. Telefonatat kanë zgjatur disa net rresht, të cilat i ka dëgjuar edhe fëmija 7-vjeçar, të cilit i dilte gjumi herë pas here.

“Arratisja” nga shtëpia

E një ditë, e bindur se kishte gjetur mikun e saj më të mirë, ka vendosur të largohet nga shtëpia. është veshur me rrobat më të mira që kishte dhe familjes së burrit i ka thënë se kishte dhimbje koke, e do shkonte të blinte paracetamol. Por që nga ai moment, ajo është larguar dhe nuk është kthyer më. Në këto kushte, familja ka kontaktuar me shërbimet e policisë së Komisariatit Nr. 5, të cilët kanë nisur hetimet. Një oficer policie, i cili ka marrë në pyetje dy familjet në lidhje me zhdukjen e nuses 17-vjeçare, ka kontaktuar edhe me djalin e vogël 7-vjeçar. Pavarësisht se dy familjet ishin të bindura se ajo nuk kishte telefon, i vogli ka treguar se natën vonë i dilte gjumi dhe e dëgjonte Erlindën të fliste në telefon me zë të ulët. Policia ka zbuluar se telefonatat i kishte kryer me numrin e vëllait, e kështu menjëherë është kërkuar që të merren tabulatet nga kompania celulare. Por vonesa e tabulateve, për të parë se me çfarë numrash kishte folur, ka pezmatuar hetimet deri dy ditë më parë.

Telefonata në Greqi

Vajza e re ka kontaktuar me një kushëri të saj në Greqi. Atij i ka treguar se ishte larguar nga banesa, e që strehohej te një shok i saj, por donte të shkonte drejt Greqisë. Telefonata e ka habitur kushëririn e saj nga Korça, me të cilin ka kontaktuar edhe policia. Shërbimet e policisë i kanë kërkuar atij të japë numrin shqiptar, nga i cili e kishte marrë Erlinda dhe ai ka pranuar të kryejë një veprim të tillë, me qëllim që të qetësohet familja. Kur policia ka marrë numrin ka vënë re se ai ishte numër i Albtelekomit dhe nga prefiksi ka zbuluar se i përkiste një familje në Fier. Menjëherë, nëpërmjet kreut të policisë së Tiranës është marrë kontakt me policinë e Fierit dhe është gjetur banesa nga ishte bërë telefonata. Policia ka kontaktuar me familjen, që ka treguar se vajza e re kishte ardhur me një të afërm të tyre, të moshës 20 vjeç.

Gjetja e adoleshentes

Rreth mesnatës, policia ka shkuar edhe në banesën e të riut, por nuk e ka gjetur aty. Më pas, policia ka nisur kontrollet dhe rreth orës 03:00 të mëngjesit, dy të rinjtë janë gjetur bashkë në lulishten kryesore në Fier dhe janë shoqëruar të dy. Në mëngjes, një patrullë policie nga Komisariati i Kamzës ka mbërritur në Fier, ka marrë dy të rinjtë dhe i ka sjellë në Tiranë. Vajza e re është pyetur në lidhje me këtë largim dhe ka rrëfyer gjithë historinë, e duke këmbëngulur se nuk donte të kthehej te familja e burrit. Policia ka thirrur edhe familjen e saj dhe pasi ata janë bindur se ajo ishte larguar me dëshirën e saj, ajo u është dorëzuar familjarëve. Ndërsa i riu, i cili ka deklaruar se veç e kishte strehuar adoleshenten e martuar dhe nuk kishte kryer asnjë veprim tjetër, është lënë i lirë dhe është rikthyer në Fier. Gjendja e rëndë psikologjike e vajzës është vënë re edhe nga specialistët e policisë, që e kanë trajtuar psikologjikisht, derisa me dëshirë ka pranuar të kthehet pranë prindërve të saj.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›