Rama: Me anëtarësimin në BE, 1 milion euro për teknologjinë dhe inovacionin çdo vit

TIRANË, 25 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha se, me anëtarësimin e Shqipërisë në BE, fuqia mbështetëse për startup-et dhe për teknologjinë rritet në mënyrë eksponenciale.
Duke marrë fjalën në takimin që u zhvillua sot në Tiranë me rinj, fitues që do të financohen nga thirrja Startup Grant 2025, Rama tha se, “faktikisht ne nga BE kemi marrë mbështetje për programe të ndryshme, që në total arrijnë vlerën mbi 1 milionë euro dhe mbështetja për teknologjinë që ka hyrë së fundi është në shifra modeste, por me hyrjen në BE kjo mbështetje do të jetë mbi 1 milionë euro çdo vit. Me këtë mbështetje, ndryshe nga 1 miliardi i deritanishëm, ku pjesa më e madhe janë kredi, pjesa 1 miliard çdo vit, janë grand”.
Pra ndryshimi është i madh, vijoi ai, se sot jemi me mbështetjen në raportin 90% kredi dhe 10% grant. Me futjen në BE kalojmë në 90% grant dhe 10% kredi.
Rama vuri në dukje se kreditë janë të mira se janë me norma të ulta interesi, por siç tha ai “janë kredi”, teksa vuri theksin në rëndësinë e vijimit të procesit të integrimit në BE që drejton PS.
“Për këtë arsye ne duhet të vazhdojmë procesin e integrimit se është krijuar një mundësi reale që nuk ka qenë asnjë herë më parë, që nga dallga e fundit e zgjerimit, që nga futja e Kroacisë në BE nuk ka pasur asnjë herë asnjë mundës reale për të hyrë në BE, tani është reale dhe ne jemi te dera”, tha Rama.
/a.f/