E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Me anëtarësimin në BE, Shqipëria merr 1 miliard euro investime çdo vit

TIRANË, 11 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se anëtarësimi në Bashkimin Europian është programi i Partisë Socialiste, që do të realizohet në mandatin që vjen.

Në rubrikën “Sy m’sy”, ku kryeministri Rama ka zgjedhur të komunikojë drejtpërdrejt me qytetarët, Rama foli për fondet që do të përfitojë vendi deri në 2027, kur pritet edhe dhënia e dritës jeshile për anëtarësimin e vendit në BE.

“Programi ynë është i shpalosur në të katër anët dhe dihet. Megjithatë disa gjëra të qarta lidhur me disa pika kyçe do t’i themi, por programi i programeve është anëtarësimi në Bashkimin Europian”, tha Rama.

Rama bëri të ditur se në 2013-ën, kur PS erdhi në pushtet, Shqipëria merrte nga BE diçka më shumë se 200 milionë euro. Sot, tha ai, marrim më shumë se 600 milionë euro në vit.

“Në totalin e vet, investimet nga BE janë afro 700 milionë euro. Sot që flasim stoku i investimeve të BE-së në Shqipëri llogaritet rreth 6 miliardë euro. Ndërkohë duam ta çojmë në 9 miliardë euro”, tha Rama.

Rama shpjegoi edhe se çdo të ndodhë me investimet e BE-së në vendin tonë pas anëtarësimit në BE.

“Me hyrjen në BE, fondet e përfituara nga BE, në periudhën 2014-2020 ishin 1 miliard euro. Për 2021-2027 si buxhet që BE ka parashikuar për Shqipërinë është 2.6 miliardë euro. Ndërkohë që me futjen në BE llogaria bëhet 1 miliard euro, mesatarisht në vit”, theksoi kryeministri.

Rama vuri në dukje se ndër sektorët që do të marrë mbështetjen më të madhe është ai i bujqësisë.

“Pra nëse sot, ne, nga buxheti i shtetit dhe nga të gjithë xhepat e tjerë, si donacionet, vendosim në dispozicion të bujqësisë më pak se 200 milionë euro. Do të kemi plus 300 milionë euro në vit”, deklaroi ai.

Prandaj, theksoi ai, nëse ka një arsye të vetme, mjafton për të mos bërë asnjë diskutim tjetër.

“Ka vetëm një arsye, Shqipërinë brenda BE-së. Shfrytëzimi i kësaj mundësie, dritareje, përputhjeje të yjeve të fatit tonë dhe fatit të Europës, në funksion të anëtarësimit, ky është programi i programeve. Pastaj patjetër do të kemi të mira të tjera në shumë drejtime”, deklaroi Rama. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›