E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Më tepër vëmendje për shqiptarët e Luginës së Preshevës

PRESHEVE - Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama kërkoi sot, që qeveria shqiptare të shtojë vëmendjen për shqiptarët që banojnë në Luginën e Preshevës.

Gjatë vizitës së tij në Luginën e Preshevës, Rama tha se "Parlamenti Europian nëpërmjet Rezolutës së 9 Janarit 2012, ka vënë theksin në problematikën e shqiptarëve që banojnë në Luginën e Preshevës, problematikë që lidhet ngushtë me gjendjen sociale dhe ekonomike të tyre.

Sipas tij, "Kushtetuta e Shqipërisë e përcakton qartë se shteti shqiptar duhet të mbrojë dhe të përkujdeset për të drejtat e popullit shqiptar, kudo ai banon". "Tashmë që Kosova është një Republikë e pavarur dhe një shtet sovran, tashmë që çështja e Kosovës është një çështje e zgjidhur, angazhimi i Shqipërisë në raport me shtetin serb duhet të përqendrohet tek problematika e Luginës së Preshevës", tha ai.

Duke u ndalur gjerësisht në gjendjen e vështirë ekonomike dhe sociale në të cilën janë shqiptarët e Luginës së Preshevës, Edi Rama tha se, Partia Socialiste do propozojë vendosjen e një fondi të veçantë nga parlamenti shqiptar për të ndërtuar dy shkolla dhe një maternitet në Preshevë, gjatë këtij viti.

"Duhet të shtohet mbështetja financiare përmes bursave të studimit për studentët ekselentë nga Lugina dhe studentët në gjendje të vështirë ekonomike, që ndjekin studimet e larta në Shqipëri", tha Rama.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›