E Shtunë, 31 Tetor 2026

Referendumi i serbëve, Rexhepi: Do ta injorojmë

PRISHTINE - Ministri kosovar i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi deklaroi se autoritetet nuk do të reagojnë ndaj zhvillimit të referendumit të serbëve në veri të vendit.

“Ka kaluar koha e referendumeve. Në fund të fundit serbët edhe mund të mbajnë referendum, por mbajtja nuk do të ketë kurrfarë pasojash juridike. Ne do ta injorojmë plotësisht atë”,- deklaroi Rexhepi për radio KiM, transmeton Koha.

Duke folur për zbatimin marrëveshjes për lirinë e lëvizjes që është arritur me autoritetet serbe në Bruksel, Rexhepi ka theksuar se qëllimi ka qenë lehtësimi i lëvizjes së të gjithë qytetarëve.

“Megjithëkëtë kjo nuk ka ndodhur, sepse pala serbe gjithmonë ka kërkuar arsye të tjera", - ka thënë ministri.

Rexhepi ka përmendur se pronarët e automobilave me tabela regjistrimi RKS kur hyjë në Serbi paguajnë 30 euro në vlerë të dinarëve serbë. Paralelisht me këtë, edhe pala kosovare ka të drejtë reciprociteti për tabelat e përkohshme dhe kjo është në përputhje me marrëveshjen në Komisionin Evropian.

“Pra, ne kemi të drejtë, por nuk kemi dashur të kthehemi prapa, sepse deri më tash keni njohur tabelat serbe. Kjo nga ana jonë është shprehje e vullnetit të mirë, por nëse vazhdon kështu, ne, ndoshta, një ditë do ta shfrytëzojmë këtë të drejtë“,- deklaroi Rexhepi

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›