Rama: Ndërhyrje e rrallë te QSUNT, hiqet tumori epidural me pajisje të avancuara

TIRANË, 20 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ka risjellë sot në vëmendje, një histori suksesi në repartin e Neurokirurgjisë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë, ku ekipi i mjekëve neurokirurgë kanë kryer një ndërhyrje të rrallë te një paciente 24-vjeçare.
Kryeministri Rama thotë se “falë edhe pajisjeve të teknologjisë së avancuar u realizua me sukses heqja e një tumori të madh epidural, një rast shumë i rrallë, nga zona torakale (T5-T6) te një paciente 24-vjeçare me Neurofibromatozë Tipi 2”.
Kryeministri u ka shprehur mirënjohjen, ekipit të mjekëve prof. Kita Sallabanda, prof. Artur Xhumari, dr. Myfit Saraci, dr. Jetmira Kerxhaliu, dhe infermieret Refije Kadiu dhe Anxhela Gjonaj.
Profesor Kita Sallabanda, thotë në videon e postuar nga kryeministri Rama në rrjetet sociale, se kjo ndërhyrje e rrallë kirurgjikale te pacientja 24-vjeçare është realizuar me teknikat më moderne, siç është edhe aspiratori ultrasonik.
“Sot, në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës në repartin e Neurokirurgjisë me ekipin e doktorëve në drejtimin e Artur Xhumarit është realizuar një operacion kirurgjikal shumë i rrallë për karakteristikat e tumorit. Në një vajzë të re 24-vjeçare me një tumor që shtypte medumet spidane në nivel torakal dhe në pozicionim epidural, gjë shumë e rrallë në një paciente me neuofibramatozë të tipit 2″, informoi mjeku.
“Kjo kirurgji u realizua falë teknologjisë së zhvilluar që ka Shërbimi i Neurokirugjisë duke përdorur teknikat më moderne si aspirator ultrasonik, duke dhënë rezultate shumë të mira për jetën. Pacientja ka 22 tumore që ne i kemi trajtuar në mënyrë graduale”, vijoi ai.
“Ky ishte një tumor që për karakteristikat e tij ishte shumë i rrallë nga pikëpamja neurokirurgjikale dhe që u realizua me shumë sukses”, tha neurokirurgu Kita Sallabanda.
/a.f/r.e/