E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Votimi nga jashtë, Celibashi: Deri në katër tentativa për ti dërguar fletën e votimit

TIRANË, 20 janar /ATSH/ Kryekomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi gjatë një konference me gazetarët sot, për votimin e shtetasve shqiptarë nga jashtë vendit, u pyet në lidhje me rrezikun e votimit familjar.

Celibashi tha se nga ana e KQZ-së mund të garantojë se fleta e votimit nga posta do t’i dërgohet në dorë personalisht zgjedhësit në adresën që ai ka deklaruar dhe për këtë KQZ merr informacion në kohë reale.

“Ajo që mund të garantoj me siguri është se fleta e votimit që KQZ do t’i dërgojë çdo votuesi do t’i mbërrijë votuesit në dorë. Pas tentativës së tretë ose të katërt, nëse rezulton se nuk është atje ku ka adresën, fleta e votimit do të kthehet në KQZ. Është pak, po e sigurt, do t’i dorëzohet në dorë vetë zgjedhësit dhe asnjërit prej familjareve të tij që banojnë në adresën përkatëse. Se çfarë do të bëjë me fletën e votimit, këtë nuk di ta them.

Fleta e votimit do t’i dorëzohet çdo votuesi personalisht në dorë dhe për këtë KQZ merr informacion në kohë reale, si nga shërbimi postar, po ashtu dhe nëpërmjet PER. Nga kryqëzimi i informacionit kemi mundësi të kuptojmë mbi fatin e fletës së votimit”, u shpreh Celibashi.

I pyetur se ku do të numërohen votat e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, Celibashi tha se do të jetë një ambient sikurse zhvillohet numërimi i fletëve të votimit brenda vendit.

“Numërimi do të bëhet nga një komision që është i përberë nga përfaqësues të opozitës dhe gjysmën tjetër nga pozita. Do të jetë një sekretar teknik i përcaktuar nga KQZ pa të drejtë vote, pra do jenë 2 me 2, ose 3 me 3 në përbërje. Po kështu do të jetë edhe përbërja e grupeve të numërimit në mënyrë të balancuar nga përfaqësues të pozitës dhe e opozitës. Do të jetë në një ambient sikurse zhvillohet edhe numërimi i fletëve të votimit brenda vendit. Jo domosdoshmërisht ambientet të KQZ-së, por një vend ku të zhvillohet në mënyrë të hapur transparente i cili do dakordësohet me partitë politike”, tha Celibashi.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›