Rama: Ndoshta Zoti e shpëtoi Trump për të zgjuar përfundimisht Evropën

TIRANË, 7 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, ndoshta Zoti i shpëtoi jetën presidentit të SHBA-së, Donald Trump, jo vetëm për ta bërë Amerikën të madhe sërish, por për të zgjuar përfundimisht Evropën dhe për t’i dhënë asaj mundësinë të kuptoj që nuk mund të vazhdojë sikur bota të ishte njësoj, sepse nuk është njësoj.
Në fjalën e tij në panelin me fituesit e çmimit të madh ndërkombëtar “Karlspreis – Karli i Madh”, një nga nderimet më të larta evropiane për personalitete me kontribut në bashkimin dhe përparimin e Evropës, të mbajtur në Tiranë, Rama u shpreh se, “kur vjen fjala për atë çfarë po ndodh, besoj që Evropa gjendet në një moment ku bëhet a zhbëhet, në kuptimin e shkuarjes në një nivel tjetër”.
Pra, shtoi Rama, “nuk është thjesht diçka që kërkon përshtatje, por një ndryshim thelbësor të thellë. Nuk është një moment për të këmbëngulur në mënyrë kokëfortë, në inercinë e asaj çka ekzistonte deri tre muaj më parë. Ka të bëjë me një panoramë tërësore të asaj çfarë duhet të ndryshojë”.
“Historia ka pasur momente ku SHBA dhe Evropa kanë pasur përplasjet e tyre, momentet e tyre të keqkuptimit apo të konfliktit politikisht. Në Amerikë ka pasur gjithmonë nga ata që kanë menduar që është gjithmonë më mirë që Amerika të dalë nga Evropa, pra të tërhiqet prej saj. Dhe po kështu në Evropë ka pasur nga ata që kanë menduar që Evropa duhet të ketë identitetin e vetë dhe të harrojë SHBA-të, por ka qenë gjithmonë diçka që në fund ka mbizotëruar. Ideja që siç e ka thënë Kissinger, “Amerika pa Evropën është një ishull, ndërsa Evropa pa Amerikën është një gadishull””, u shpreh Rama.
“Për mua, së pari, jam në një pozitë shumë të rehatshëm, sepse nuk jam gjerman dhe nuk mund të duhet të gjej zgjidhje për botën. Jam një kryeministër i një vendi më të vogël, megjithëse jam më i gjatë se Friedrich Merz. Është Friedrich Merz që duhet të marrë vendime prej të gjati. E di që nëse unë e kam gabim askush nuk do dëmtohet, por nëse Merz do ta ketë gabim, nëse udhëheqësit e Evropës do ta kenë gabim, të gjithë ne do të dëmtohemi. Dhe Martin përpara se të dilnim këtu tha: “Vendimet e këqija të një udhëheqësi sot paguhen në kosto nga brezi i ardhshëm””, theksoi Rama.
Pra, u shpreh kreu i qeverisë, “ajo çfarë shohim sot nuk është asgjë krahasuar me atë çfarë vjen. Kështu që me sa kuptoj unë bëhet fjalë për një pamje 360 gradëshe të situatës, nuk është thjesht diçka që lidhet me forcimin ushtarak. Nuk është thjesht fjala për të hyrë në një garë se kush është më i fortë ushtarakisht, sepse kur dëgjoj gjëra të tilla për shembull që le të shkurtojmë fondet për arsimin dhe të prodhojmë më shumë armë tmerrohem, sepse ne shpresoj nuk po kërkojmë të krijojmë një ushtri të madhe barbarësh e gjysmanalfabetësh, po kërkojmë diçka krejt ndryshe”.
Kështu që, shtoi Rama, “na duhet që të jemi shumë të guximshëm dhe të përpiqemi ta shohim gjithçka në tërësi”.
“Po është domosdoshmëri të forcohemi ushtarakisht, por po diplomacia, çelja e korridoreve të reja të dialogut, apo të qenit më pak vet referente kur flasim me të tjerë jashtë nesh e të jemi më të vendosur për mënyrën tonë të jetesës”, tha Rama.
“Në fund të ditës ne kështu duam të jetojmë, nuk duam të tjerët të vendosin si duhet të jetojmë ne, ne duam të jetojmë kështu, por nuk duhet t’u themi të tjerëve që kjo është mënyra e vetme për të jetuar, sepse në të kundërt do të gjendemi në situata ku do të ishte e vështirë për t’iu përgjigjur një pyetjeje. Dhe kam një pyetje që më tmerron: Evropa ka më pak miq sot sesa përpara agresionit rus? Dhe kjo është diçka që duhet kuptuar, diçka mbi të cilën duhet reflektuar pse ka ndodhur kjo”, tha Rama.
Ndërkohë që, shtoi Rama, “nuk ka aspak dyshim që Evropa u ngrit për gjënë e duhur, duke qëndruar krah Ukrainës. Kjo nuk ka aspak dyshim, por pse ka më pak miq? Dhe nuk po flasim për Rusinë, po flasim për miqtë të cilët nuk janë në këtë pjesë të botës”.
“Kështu që është shumë komplekse, shumë e ndërlikuar, por ndoshta Zoti i shpëtoi jetën Donald Trump-it, jo vetëm për ta bërë Amerikën të madhe sërish, por për ta zgjuar përfundimisht Evropën dhe për t’i dhënë asaj mundësinë të kuptojë që nuk mund të vazhdojë sikur bota të ishte njësoj, sepse nuk është njësoj”, tha Rama.
/r.e//a.f/