Rama: Ndryshimi s’do ndodhë brenda natës, por puna nuk do ndalet

Në vijim të fjalës së tij në Kuvend për prezantimin e programit qeverisës, Kryeministri Edi Rama premtoi zgjidhje të çështjes së pronës, drejtim të ri në arsimin profesional dhe ulje të kostos së prodhimit.
Në prezantimin e përmbledhur të programit, në sallën gjysmë bosh pas largimit të opozitës demokrate, ai tha se armiqtë e qeverisjes socialiste janë varfëria dhe papunësia, ndërsa theksoi se do i jepet kulturë e re zotërimit të pushtetit.
“Nuk dua që njerëzit të ulin pritshmërinë tani që ne fituam, por në gatishmëri për pritshmëritë e tyre. Ndryshimi i pozicionit nga kryetar i opozitës në Kryeministër është shumë më tepër se ligjet e këtij Kuvendi. Europa e Bashkuar nuk është destinacion jashtë vendit, por vend brenda vetes. Po ashtu NATO nuk është medalje për ta mbërthyer në gjoks, por përkatësi ekzistenciale. Të jesh pjesë në NATO dhe në BE do të thotë të ndash standarde e norma. Sot Shqipëria ka më shumë ligje, pro s’ka ligjshmëri e krimi ka marrë rrugën. Armët janë bërë si celularët janë nëpër makina, e klube, ndërsa kriminelët e rrugaçët janë shtuar kudo si ndërtimet pa leje”, u shpreh Rama, citon noa.al.
Ndër të tjera kreu i qeverisë së re premtoi çlirimin e Radio Televizioni Publik Shqiptar, nga regjimi i një propagande politike 20 vjeçare.
Ai u zotua për rikthim të policisë në krye të detyrës, zgjidhje për çështjen e pronës etj.
Sakaq Kryeministri theksoi se në 23 qershor u mbyll turbofolku i nacionalizmit, dhe se qeveria aktuale do të ketë atdhedashuri dhe do të ketë zero mosmarrëveshje me fqinjët.
Rama tha se do i tregojë opozitës me sjellje dhe vepra se si do e qeverisë këtë vend, duke i falënderuar për vëmendjen që do i kushtojnë leximit të programit, duke shtuar se, “Nuk presim më shumë se të na kundërvihen me pasion. Kjo do të na ndihmojë të ecim më shpejt, duke mos rënë qorrazi në vetëkënaqje. Duke e përmbyllur këtë fjalë me përuljen më të thellë për 1 milionë zgjedhësit, por dhe me respektin e pakushtëzuar për gjithë ata që nuk na u bashkuan, u them se ndryshimi nuk do të vij as brenda një nate dhe as brenda një viti, por puna nuk do të rresht dhe rilindje do të ketë”.<br />
Në mbyllje të seancës Kryetari i Kuvendit Ilir Meta theksoi se seanca e radhës do të jetë të shtunën paradite në orën 10.00, ndërsa përsëriti edhe njëherë faktin se deputetët do të kenë mundësi të bëjnë pyetje brenda orës 20.00, ndërsa kërkoi që të respektohet rregullorja e parlamentit./Indeksonline/