E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Në 2010 protesta, deri në largimin e Berishës

Panorama e paraqitur nga kryeministri Berisha për 100 ditët qeverisjes, për kryetarin e opozitës, Edi Rama, është vetëm imagjinatë, pasi vendi është i zhytur në krizë

TIRANË - Pas paraqitjes së bilancit të 100 ditëve të qeverisë nga Kryeministri Sali Berisha dhe qëndrimit të tij se nuk do t'i hapë kutitë e votimit pavarësisht kërkesës së vazhdueshme të opozitës, reagoi dje edhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.

Ai deklaroi se e gjithë panorama e paraqitur nga Kryeministri Berisha për 100 ditët e qeverisë së tij është vetëm një imagjinatë, pasi vendi është i zhytur në krizë ekonomike.

Sipas Ramës, Berisha nuk mund ta fshehë dot krizën ekonomike në kushtet kur shqiptarët po përballen me vështirësi të shumta ekonomike dhe në kushtet kur shteti ligjor ka rënë.

Në një konferencë për shtyp, Rama theksoi se Kryeministri nuk pranon hapjen e kutive pasi, sipas tij, Berisha mban mbyllur të vërtetën e zgjedhjeve të 28 Qershorit.

Rama theksoi se opozita do të vazhdojë të insistojë në kërkesën e saj për hapjen e kutive të votimit, pasi nga hapja e tyre varet edhe fati i zgjedhjeve të ardhshme. Për këtë arsye, sipas Ramës, opozita do t'i vazhdojë protestat edhe vitin e ardhshëm deri në largimin e qeverisë. "Sali Berisha këmbëngul se kutitë nuk hapen sepse e pengon vendimi i gjykatës.

Kjo është gënjeshtër dhe gjithë dynjaja e ka marrë vesh që kutitë nuk hapen sepse Sali Berisha e di të vërtetën që mban mbyllur në ato kuti në shkelje të ligjit e të vullnetit të popullit sovran që përmes parlamentit mund t'i hapë kutitë menjëherë.

Sepse, ajo që ne kërkojmë nuk ka të bëjë me rezultatin e zgjedhjeve të shkuara, po me fatin e zgjedhjeve të ardhshme dhe të të gjithë procesit demokratik në Shqipëri, me fatin e shtetit të së drejtës e të drejtësisë që çdo shqiptar kërkon e do të kërkojë në të ardhmen", - tha dje Rama.

Duke folur mbi mundësinë e një dialogu me mazhorancën për zgjidhjen e krizës politike, Rama u shpreh se opozita është e hapur për dialog, por ai duhet të jetë i barabartë dhe të ketë si synim hapjen e kutive të votimit. Në të kundërt, sipas tij, mazhoranca duhet ta harrojë se mund të arrijë konsensusin politik me opozitën. "Dialog? Patjetër.

Por, dialog i barabartë, i vërtetë, i hapur për çdo zgjidhje të krizës së rëndë dhe në asnjë mënyrë mjet shpëtimi për një pushtet që hedh lumin e vret kalin, ashtu siç bëri me zgjedhjet, duke grisur paturpësisht dhe forcërisht ligjin e miratuar me konsensus që detyron hapjen e kutive me kërkesë të dy anëtarëve të KQZ-së.

Dhe ta harrojnë se e realizojnë dialogun, duke bërë shfaqjen e përditshme banale të urtësisë për të larë gojën dhe për të thënë ja, ne duam dialog, po s'do opozita, dhe duke vazhduar nga ana tjetër luftën vulgare me baltë kundër opozitës", - nënvizoi Rama.

Ai shtoi se mazhoranca dhe kreu i saj Berisha duhet ta harrojnë dialogun me spektrin opozitar vetëm sa për të kthyer në Parlament këtë të fundit, pa realizuar kërkesën primare të saj që është hapja e kutive të votimit. Rama vuri në dukje se opozita do të nisë sërish protestat në 2010 dhe ato do të vazhdojnë deri në largimin e qeverisë.

"Ndërsa beteja jonë në sheshet e në rrugët e Shqipërisë do të rifillojë pas vitit të ri akoma më fuqishëm, me të gjithë opozitën e popullin opozitar. Përderisa kutitë nuk hapen ne s'do presim që Shqipëria të ribjerë në greminë, po do protestojmë për të larguar qeverinë", - tha Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›