Të rinjtë që dëshmojnë të shkuarën
Ndërtimi, shkatërrimi, shembja, rrënojat, varret. Këtu është ndalur objektivi i fotografisë dhe videos nga disa prej artistëve të rinj të "Onufri 2009"
E shkuara. Një motiv që disa artistë të rinj, të pranishëm këtë vit në ekspozitën "Onufri" e kanë përdorur, kanë reflektuar mbi të dhe e kanë shprehur në punët e tyre, të shumtat "Pa titull". Kështu, tre të rinjtë shqiptarë, të ardhur nga Bolonja për këtë ekspozitë, Eugert Hykaj, Sokol Peçi, Pleurat Xhafa, prezantojnë videoinstalacionin "Pa titull", nën moton "Ulërima ndërqytetëse" (Suburban howl).
Në një dhomë të veçantë të katit të parë të Galerisë së Arteve është vendosur videoja dhe në sfondin e saj projektohet lëvizja e vazhdueshme e dy instrumenteve muzikore, bashkë me to edhe një skelet njeriu i cili ndjek trajektoren rrethore të lëvizjes.
Instrumentet kanë në trupin e tyre pjesë të dekompozuara, ku telat e tyre janë nofulla dhe dhëmbë, apo të krijuara në formën e kafkës së njeriut. Videoja tregon për një udhëtim që nis në një natyrë të paprekur, ku shihen fushat e pamasa, ullishtat, malet, më tutje ndërtesa të shkatërruara, rrënojat dhe varre.
Për një kohë të gjatë syri ndalet vetëm tek ta, imtësisht, në mbishkrimet e tyre, tek vitet e lindjeve dhe vdekjeve, këto të fundit në ndjekje të njëra tjetrës, '93, '97, 2000, 2007, 2009.
Më pas shfaqen shtëpitë, gjysmë të ndërtuara, mes llaçit dhe tullave, hedhurinave, hotele të luksit e diku tutje, eskavatori që gërryen një gurore. Duket si një panoramë e të kundërtave, mes të kaluarës së varrosur po përherë dëshmuese, në anën tjetër e tashmja urbane që çdo ditë ndërton dhe shkatërron.
Një tjetër artist i ri ka në fokus të shkuarën e Shqipërisë. 20-vjeçari Enkekejd Zonja, për herë të parë pjesëmarrës në Ekspozitën Ndërkombëtare të Arteve Pamore, prezanton dy piktura "Përrallë nga '97" (vaj në kanavacë, 140x230cm" dhe ".Iss Albania" (vaj në kanavacë 115x200cm).
Në të dyja është përdorur ironia e të kundërtave. "Përralla" tregohet në një shtëpi në pyll dhe në sfond shihet një makinë policie, policë, njerëz që bëjnë allishverishe, një derë banke e hapur.
Me të njëjtën frymë përçon mesazhin edhe në punën tjetër. Në qendër të saj është imazhi i një femre që ka fituar konkursin e bukurisë, e vetmja e qeshur mes një morie njerëzish të trishtuar, të menduar, të lodhur, një grua me të zeza me një qëndrim në pritje, njerëz që tymosin, dikush i përhumbur shihet në pasqyrën e vetvetes.
Me rëndësi për kujtesën e të rinjve është edhe viti '90. Artisti Olson Lamaj, vjen me triptikun, 100x70cm "Foto nga Tirana", ku dëshmon për vitin e ikjes, braktisjen e Shqipërisë nga vendasit.
Në të tri fotografitë vërehen dritaret e mbyllura me tulla, grila të shkatërruara, mure të plasaritur. E gjithë kjo panoramë shkatërrimi dhe braktisjeje përplaset mbi sloganin "Besoni, Shqipëria ndryshohet" e kandidatit të asaj zone elektorale, të vendosur në muret e pallatit.
Në vijim të kësaj ideje, është edhe puna e artistes Yllka Gjollesha (Gjikopulli), "Turn on" (vaj në kanavacë, 180x120cm). Është një homazh për lirinë e munguar të të rinjve të atyre viteve.
Dëshira për liri shihet si nevojë edhe në punët e disa prej artistëve të tjerë të ekspozitës, tek studentet e Akademisë së Arteve, Donika Cina me "Jashtë pasqyrës" dhe Entela Hoxha në videon "Kukulla".
Në videon e Cinës shihen pesë të rinj që duken sikur e kanë braktisur për pak jetën e vrullshme urbane, larg trafikut, zhurmës, dhe ndodhen në një hapësirë të lirë, të qetë. Por edhe aty ka tension, i dukshëm në ecejaket e shpeshta të tyre, derisa të gjithë një nga një e braktisin qetësinë. Kurse Entela Hoxha në videon e saj, shfaq imazhin e një kukulle që përplaset, bie, çohet brenda një kutie. Kurimi i punëve të studenteve të Akademisë iu besua artistit Gentian Shkurti.
Po për të tashmen, ç'thonë të rinjtë?
Një përgjigje duket sikur merret në prezantimin e Albjon Bogdanit, me imazhet e proceseve të ndryshme kompjuterike. Përbri tyre ai sqaron: "Shtysa pas arkivimit dhe hulumtimit të imazheve dixhitale lidhet me një pasion të së përkohshmes, të shpërfaqur përmes monitorëve të lloj-sojshëm që ndërmjetësojnë teknologjitë e të rejat e informacionit dhe komunikimit". Një botë që lëviz drejt kompjuterizimit të ideve, proceseve.
Artistja Blerta Kambo prezantohet me dy fotografi të titulluara "Argumenti njerëzor" (90x60cm) në të cilën shihen turbullt imazhet e dy personave të dy gjinive. Një femër me sy të mbyllur, përbri imazhit të një mashkulli vigjilent.
Të tjerë artistë të rinj që ekspozojnë në "Onufri 2009" janë Klod Dedja, Greta Dhaskali (Lami), Elsa Martini, Ervin Bërxolli, Aldi Zgjani, Genti Pipa, Najada Hamza, Anjeza Dyrmishi.