Tërhiqet maxhoranca, Rregullorja do kalojë në komisione
Mazhoranca ka vendosur të fusë në kanal ligjor dy nismat e saj, për kufizimin e imunitetit dhe ndryshimin e Rregullores së Kuvendit. Ndryshe nga sa ishte parashikuar më parë, gjatë seancës së djeshme, shumica parlamentare ka hedhur për votim vetëm miratimin e procedurës së përshpejtuar të këtyre dy nismave, por jo përmbajtjen e tyre. Me 73 vota pro, dhe kundërshtimin e opozitës, mazhoranca ka miratuar vetëm kalimin e këtyre nismave me procedurë të përshpejtuar, ndërsa ka përcaktuar që ato, para se të kalojnë në seancë të shqyrtohen edhe në Komisionin e Ligjeve. Për këtë qëllim, Kuvendi ka përcaktuar dhe një axhendë për shqyrtimin e tyre. Kështu çdo deputet që kërkon të bëj amendamente, si në nismën për kufizimin e imuniteteve, ashtu edhe në atë për ndryshimin e Rregullores, duhet t’i paraqesë ato brenda datës 19 shkurt. Ndërkohë që ato do të diskutohen brenda së hënës së ardhshme, në Komisionin e Ligjeve, në mënyrë që të jenë gati për miratim në seancën e së enjtes së ardhshme në datë 24 shkurt. Dy nismat e PD-së parashikojnë: njëra kufizimin e imunitetit, në rastet e korrupsionit dhe tjetra shtimin e masës së penalizimit me 30 ditë, përjashtim për deputetët problematikë, si dhe kalimin e diskutimeve të lira në fund të seancave plenare. Për t’i dhënë kohën e duhur diskutimit të këtyre çështjeve, me kërkesë të kryetarit të grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, Kuvendi ka vendosur që mos të zhvillohet as seanca e parashikuar për ditën e sotme. Kuvendi ka miratuar dje dhe një kërkesë tjetër të grupit parlamentar demokrat, për të caktuar si anëtarë të Komisionit të Ligjeve edhe deputetin Tritan Shehu. Një lëvizje e detyruar kjo për shkak se me mospraninë e opozitës gjatë gjithë këtyre javëve ka qenë shumë e vështirë të bëhet kuorumi për nisjen e mbledhjeve, çka ka sjellë vonesa të mëdha.