Rama: Në janar rinisim fuqishëm protestatNga TemaKryetari i PS, Edi Rama, bëri dje një përmbledhje të akuzave të opozitës ndaj kryeministrit Berisha dhe qeverisë së tij, ku dhe ka theksuar se protestat e opozitës do të rikthehen në janar, më të fuqis
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Rama: Në janar rinisim fuqishëm protestatNga TemaKryetari i PS, Edi Rama, bëri dje një përmbledhje të akuzave të opozitës ndaj kryeministrit Berisha dhe qeverisë së tij, ku dhe ka theksuar se protestat e opozitës do të rikthehen në janar, më të fuqishme dhe të shpërndara në të gjithë vendin. “Beteja jonë në sheshet e në rrugët e Shqipërisë do të rifillojë pas vitit të ri akoma më fuqishëm, me të gjithë opozitën e popullin opozitar. Përderisa kutitë nuk hapen, ne s’do presim që Shqipëria të ri-bjerë në greminë, po do protestojmë për të larguar qeverinë.
Deri në fund. Deri në largimin e Sali Berishës nga detyra që shpërdoron prej kohësh, duke u faturuar padrejtësisht shqiptarëve çmimin e papërballueshëm të Vitit të Ri 2010”, - tha dje Rama. Ai e ka konsideruar sukses imagjinar, atë që dy ditë më parë deklaroi kryeministri Berisha në 100 ditët e para të qeverisë së re të drejtuar prej tij, pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Rama tha se dyqanet e mbytura në listat e borxheve kanë më pak blerës se asnjëherë në fundviti dhe biznesmenët e vegjël presin në dyqanet bosh janarin e tmerrshëm me faturën e re të TVSH e të energjisë së rritur 22% në kulmin e krizës ekonomike. “Sali Berisha flet për lehtësirat imagjinare që i ka bërë biznesit të vogël. Ndërkohë që 110 mijë rrogëtarë të këtij vendi nuk u blenë dot dhurata fëmijëve për Krishtlindje e Vit të Ri, sepse nuk e morën dot as rrogën e përmuajshme e as rrogën e shpërblimit të fundvitit, dhe kur çmimet janë rritur me shpejtësi marramendëse, Sali Berisha flet për rritjen imagjinare të rrogave. Ndërkohë, kur 540 mijë pensionistët e këtij vendi presin me drithërim janarin, kur nën derë do t’u hyjë fatura e re e energjisë, Sali Berisha flet për një rritje pensionesh që është me plot gojën imagjinare në raport me rritjen reale të çmimit të jetesës. Ndërkohë, kur 800 mijë shqiptarëve të pasiguruar, për shkak se nuk gjejnë dot një punë, u ka prerë arbitrarisht një faturë të papërballueshme për një trokitje te mjeku dhe kur spitalet janë katandisur keq e mos më keq, Sali Berisha flet për një luftë imagjinare të suksesshme me korrupsionin në shëndetësi”, - tha dje Rama.
Korrupsioni
Kryetari i PS, Edi Rama, tha dje se Shqipëria e vitit 2009 është më e korruptuar se vitet e tjera dhe kjo e dhënë vjen, jo vetëm nga opozita, po vjen si e dhëna nga një prej organizatave më prestigjioze botërore në matjen e nivelit të korrupsionit, ku vendi ynë ka humbur plot shkallë në klasifikim dhe ka rënë poshtë Ruandës e Ugandës. Rama tha se sipas vetë Institutit shtetëror të Statistikave, që është njësoj si Televizioni Shtetëror në raport me të vërtetën, ekonomia shqiptare ka pasur këtë vit rritjen më të ulët që prej vitit 1997. “Edhe pse vetëm kaq mjafton për të treguar se parada e sukseseve të Sali Berishës është vetëm pjellë e fantazisë së Pinokut tonë në qeveri, e vërteta është që ekonomia jonë ka hyrë në një krizë të pashoqe. Shumë më alarmante se sa çfarë thotë vetë INSTAT i Sali Berishës. Marrëzia e tij për pushtet të përjetshëm e për pará të madhe përmes korruptimit të pushtetit, ia ka shterur fuqitë ekonomisë shqiptare dhe ka provokuar një rënie agresive ekonomike, të cilën nuk e ndjen oborri i Familjes në Pushtet, po e vuajnë dhe do ta vuajnë përditë e më shumë familjet shqiptare që nuk kanë lidhje me atë oborr. Viti 2009 po mbyllet si mos më keq, por si kurrë më keq në më shumë se dhjetë vjetët e fundit po fillon Viti i Ri, ndërkohë që leku ka njohur zhvlerësimin më të madh pas më shumë se dhjetë vitesh, duke vepruar si një taksë e fshehtë mbi çdo njeri që fut dorën në xhep. Ky zhvlerësim i lekut do të vazhdojë edhe në vitin 2010, kur shqiptarët do të ballafaqohen drejtpërdrejt me një rritje të mëtejshme të çmimit të jetesës, në çdo hap, në faturën e energjisë, në faturën e ushqimeve, në faturën e vizitave shëndetësore e të ilaçeve, në faturën e arsimimit të fëmijëve. Rënia e hyrjeve të valutës paralajmëron kohë të zymta pas Vitit të Ri, sidomos për mbi gjysmën e familjeve të varfra, në fshat a në qytet, që kanë si mbështetje jetike, të pazëvendësueshme, dërgesat e emigrantëve, të cilat do të bien edhe më shumë vitin që vjen. Jo sipas opozitës, po sipas Eurostatit, fuqia blerëse e shqiptarëve është sot më e ulëta në Evropë, 26%. Por, kjo, jo e krahasuar me Gjermaninë e me Francën, po më e ulëta krahasuar edhe me vetë Bosnjën, që e ka 30%.
Shqipëria nuk ka më pará të paguajë për pushtetin e Sali Berishës dhe për shfaqjen poshtëruese të sukseseve imagjinare të kësaj qeverie të dalë nga zgjedhje të grabitura”, - tha dje Rama.
Dialogu
Duke folur për qëndrimet e kryeministrit Berisha në raport me kërkesën e opozitës për hapjen e kutive të votimit, Rama u shpreh dje se kryeministri gënjen, kur thotë se kutitë nuk hapen, pasi ky është vendimi i drejtësisë. Rama tha se Berisha nuk pranon të hapë kutitë, pasi ai e di se cila është e vërteta që fshihet në ato kuti. Rama tha se opozita pranon të ulet në dialog me mazhorancën, vetëm në rast se hapen kutitë e votimit. “Dialog? Patjetër. Por dialog i barabartë, i vërtetë, i hapur për çdo zgjidhje të krizës së rëndë dhe në asnjë mënyrë mjet shpëtimi për një pushtet që hedh lumin e vret kalin, ashtu siç bëri me zgjedhjet, duke grisur paturpësisht dhe forcërisht ligjin e miratuar me konsensus që detyron hapjen e kutive me kërkesë të dy anëtarëve të KQZ. Dhe ta harrojnë se e realizojnë dialogun duke bërë shfaqjen e përditshme banale të urtësisë për të larë gojën dhe për të thënë: Ja, ne duam dialog, po s’do opozita, dhe duke vazhduar nga ana tjetër luftën vulgare me baltë kundër opozitës. Ashtu sikundër duhet ta harrojnë se mund të ekzistojë ndonjë dialog sa për të rikthyer opozitën në parlament e për të rifilluar farsën e demokracisë pa liri e të drejta të barabarta për të gjithë, pa institucione të pavarura, pa garanci kushtetuese e ligjore për çdo qytetar të kësaj Republike.
Edhe sot i përsëris Sali Berishës se e ka kot që përpiqet të mbulojë zullumet e veta, duke iu hakërryer opozitës si i marrë. Nuk e ka fajin opozita për 26 viktimat e Gërdecit që kërkojnë drejtësi. Nuk e ka fajin opozita për qindra miliona eurot e popullit shqiptar që janë varrosur nën gërmadhat e tunelit të shembur në Kalimash dhe kërkojnë përpara drejtësisë Sali Berishën, Sokol Olldashin, Lulzim Bashën e tërë çetën që i mbështolli paratë e vjedhura të rrugës së kombit me flamurin kuqezi dhe e ktheu atë ide madhështore dhe strategjike për shqiptarët në një rrugë të korrupsionit shtetëror. Nuk e ka fajin opozita për kapjen e shtetit e të tregjeve dhe kthimin e prioriteteve të ekonomisë familjare të Sali Berishës në prioritete të qeverisjes së këtij vendi. Këto janë zullumet e njeriut që grabiti zgjedhjet për të grabitur Shqipërinë dhe që kurrë, asnjëherë, nuk do ta thyejë dot opozitën duke e goditur ultësisht me baltën e shpifjeve më të shëmtuara apo me forcën abuzive të shtetit të bërë vegël të pushtetit”, - tha Rama.