Studenti e mësuesi kapen me drogë
Operacioni i koduar “Start 2010” çoi në pranga tre persona dhe sekuestroi rreth 20 kilogramë bimë narkotike. Sektori i antidrogës në policinë e Durrësit dhe asaj të Krujës e zhvilluan operacionin në segmentin rrugor Fushë Krujë-Tiranë, në afërsi të fshatit Arameras. Për pasojë, blutë kryen arrestimin e transportuesve të mallit të cilët mësohet se janë një student, një mëues dhe një mekanik. Sipas policisë, të arrestuarit janë 20-vjeçari Andi Stojani nga fshati Bilaj i rrethit të Krujës, student në Tiranë. Po kështu, në flagracë u arrestua edhe 28- vjeçari Spartak Cangu, nga fshati Verjon i komunës Nikël të Krujës, mësues në shkollën 9-vjeçare Nikël. Personi i tretë i arrestuar është Edi Brata, 41 vjeç nga fshati Verjon Krujë, i cili punonte si mekanik në Fabrikën e Tullave në Fushë Krujë. Sipas policisë asnjë prej të arrestuarve të dyshuar për trafik nuk kishte preçedentë të mëparshëm penalë. “Seksioni i Luftës Kundër Narkotikëve në bashkëpunim edhe me shërbimet e Komisariatit të Policisë në Krujë, bëri të mundur realizimin e operacionit të koduar “Start 2010”. Ky operacion u finalizua me sekuestrimin e sasisë prej 19.693 kg mase bimore e dyshuar si narkotike e llojit kanabis sativa si dhe arrestimin në flagrancë të tre personave që e transportonin atë”, bëri të ditur policia e Durrësit. Mësohet se në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, rreth orës 16:00, në segmentin Fushë Krujë-Tiranë e pikërisht në afërsi të fshatit Arameras, u ushtrua një kontroll në automjetin tip Honda me targë greke NHO 3778 pronë e shtetasit Edi Brata. Pas kontrollit të befasishëm agjentët e antidrogës konstatuan se në bagazhin e këtij mjeti, gjendeshin dy thasë në të cilët ndodhej sasia e lëndës bimore në gjendje të thatë, në formë boçeje, e dyshuar si kanabis sativa. Policia ka dyshime se tre të arrestuarit ishin në pritje për dorëzimin e mallit, në afërsi të autostradës. Dyshohet se origjina e drogës është nga zonat e thella malore të Krujës, ndërsa destinacioni për në shtetin fqinj të Greqisë. Nga ana e policisë u kryen të gjitha veprimet e para hetimore dhe materialet për veprën penale të prodhimit e shitjes së lëndëve narkotike në bashkepunim i’u përcollen për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Krujë. Brenda pak diteve, ky është rasti i dyte i goditjes së aktivitetit të prodhimit e shitjes së narkotikeve, pas atij të arrestimit të tre shpërndarësve të narkotikeve (të tipit kokainë) nga shërbimet e Luftës Kundër Drogës. o.u/r.nTë arrestuarit
Andi Stojani,20 vjeç,student në Tiranë
Spartak Cangu,28 vjeç,mësues në Nikël
Edi Brata, 41 vjeç, mekanik në fabrikë