Topalli shkatërron tryezën, sulmon familjarisht Edi Ramën

Kryetarja e Kuvendit paraqiti dy dokumente gjyqësore, që sipas saj dëshmonin mungesë përgjegjësie të Edi Ramës në raport me të birin dhe një tjetër, të të atit të tij, të cilin e akuzoi si persekutor
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u pa t’u jepte një goditje të fortë shpresave për të ulur tensionin dhe, rrjedhimisht, për të arritur suksesin në tryezën presidenciale të së shtunës, për të cilën tha se nuk ishte punë e saj. Ajo në thelb të qëndrimit tha se nuk mund të ketë hapje të kutive të votimit dhe akuzoi kryetarin e PS-së, Edi Rama, se po nxiste dështimin e tryezës, duke vendosur kusht rinumërimin e votave. “Nuk hap kuti Sali Berisha, nuk ka asnjë instrument”, - tha ajo.
Sulmet personale
Topalli në një bisedë në emisionin “5 pyetje nga Babaramo” në televizionin “News 24” nuk shfaqi asnjë ndryshim në qëndrimet e pranueshme politike të një partie. Por, po ashtu ajo shfrytëzoi çështje personale për të goditur njërin prej pjesëmarrësve të tryezës, kryetarin e PS-së. Kryetarja e Kuvendit paraqiti dy dokumente gjyqësore, që sipas saj, dëshmonin mungesë përgjegjësie të Ramës në raport me të birin, si dhe një të të atit të tij, të cilin ia akuzoi si persekutor. “Po të ishte ekuacion matematik suksesi i tryezës, do të ishte e thjeshtë. Por unë kam një të panjohur shumë të madhe: përgjegjësia, raporti me përgjegjësinë e zotit Rama. Raportin me këtë përgjegjësi të zotit Rama (nxori një dokument)”, - tha ajo. Më pas, ajo e paraqiti dokumentin që tha se ishte proces gjyqësor i zotit Rama me të birin. Ajo kundërshtoi drejtuesin e emisionit Ilir Babaramo, që kujtoi se ishin çështje personale. Ajo këmbënguli kur tha se “është proces gjyqësor, me djalin e tij (dokumenti)”, se “është publik, nuk është privat” dhe se “nuk ka dhënë asnjë përgjigje deri më sot për këtë” (nga Rama). Ajo shfrytëzoi më tej krimet e komunizmit për të sulmuar Gjykatën Kushtetuese që rrëzoi ligjin e dosjeve dhe pyeti: “Ata që u pushkatuan janë në procesverbale me firmë dhe nëse firmëtari është anëtar i Gjykatës Kushtetuese, çfarë emri t’i vëmë kësaj”?! Ajo vazhdoi përsëri me sulme personale në këtë linjë të së shkuarës, kur kujtoi një kërkesë-falje jete nga të dënuar në vitin 1989. “A është firma e Kristaq Ramës këtu në vendimin për pushkatim, a është pushkatuar? Profesor Petrit Gaçe nuk ka firmosur, nuk ka pranuar të vendosë firmë dhe këtu dallohen karakteret. Këto janë fakte. Bëhet fjalë për varje në litar në 1989 dhe jo në 1949. Ata vendosën të mos e falnin personin, ata vendosën që ta varnin në litar”, - tha Topalli, duke treguar dokumentin. Ajo iu përgjigj gjithashtu pyetjes se përse nuk ishte lejuar një peticion i janarit 1991 i Edi Ramës kundër komunizmit, duke thënë se “në peticionin e dërguar, atëherë Rama fliste për të vrarë njerëzit që dhanë dënimet”, duke shtuar “unë nuk jam për këtë”.
Kriza politike
Të gjitha deklaratat e Topallit (të cituara me afërsi), shënojnë një pikë të rëndësishme dhe serioze përpara tryezës. Me termin “krizë politike”, kryetarja e Kuvendit u përpoq të zbuste rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Sipas saj, ky term dëshmonte krizë institucionale, duke e kanalizuar këtë krizë tek opozita. “Kriza është politike, sepse sipas rezolutës nuk është institucionale dhe është fshirë, pra u hoq. As qeveria, as Kuvendi nuk është në krizë. Kriza është tek opozita, përderisa nuk kanë institucionet, atëherë është te bojkoti, te PS-ja, tek Edi Rama. Në rezolutë thuhet bojkoti mund të dëmtojë Shqipërinë, ai po dëmton raportet me Asamblenë Parlamentare të KE-së”, - tha Topalli. Për hapjen e kutive, ajo iu referua një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, që për Topallin argumentonte se Komisioni Hetimor Kuvendar nuk mund të ushtrojë kontrollin në fusha që janë juridiksionale, të pushtetit të drejtësisë. “Nuk hap kuti Sali Berisha, nuk ka asnjë instrument”, - tha ajo, ndërsa akuzoi Ramën se me kërkesën për rinumërim minoi tryezën. “Tha rinumërim një ditë përpara se të ikte në Strasburg dhe pak ditë para tryezës, pra vendosi kushte”, - tha Topalli. Ajo shtoi se Rama mendon se përballet me Sali Berishën. Por sipas Topallit, “Rama atakon sistemin, Sali Berisha nuk është sistemi, por kjo vetëm për një axhendë të mbijetesës politike. Ai atakon ato që për herë të parë u quajtën zgjedhjet më të mira dhe që arritën standardet e kërkuara. Kjo që bën ai është destabilizim, që ta kërkosh këtë çdo orë dhe çdo ditë”. “Rama provokon dhe sfidon sistemin. është mbyllur kutia, nuk hapet më kutia dhe ai e di që nuk hapet më kutia. Ai vendos kushte para se të ulet në tryezë. Por, do të të shkojmë sipas kësaj rezolute, zgjidhja është ndërprerja e bojkotit. Edhe raporti i OSBE/ODHIR-it, të gjithë ndërkombëtarët certifikuan zgjedhjet si më të mirat të bëra ndonjëherë”, - vijoi Topalli. Ajo pranoi zbatimin e rekomandimeve të ndërkombëtarëve, por kërkoi të shpjegohej se përfundimi mbi numërimin që ishte bërë keq ose shumë keq në 1/3 e tij, duhet të lexohej me gjithë pjesën që fliste se nuk pati vërtetime për pretendimet për manipulime.
Dialogu
Jozefina Topalli pohoi dje, se Sali Berisha dhe Edi Rama kanë vazhduar të komunikojnë në kanale të ndryshme, ndonëse qëndrimet e PD-së dhe të PS-së për zgjidhjen e krizës që pëlqeu ta quante “politike” dhe “joinstitucionale” nuk kanë ndryshuar. “Dialogu është gjë e mençme (mençur), praktikë që kryeministri e ka pasur edhe me kryeministrat e tjerë, e ka pasur edhe me Edi Ramën. Ka pasur komunikim, nuk thashë publik, por në shumë kanale. Thashë që është i vazhdueshëm, por nuk ka asgjë ndryshe nga ajo që thashë, këto tri dokumente janë baza, sepse ky është shteti”, - tha ajo. Duke iu referuar Kushtetutës, rezolutës së KE-së dhe raportit të OSBE/ODIHR-it. Ajo tha gjithashtu se shumica në pushtet mendonte që Rama sulmonte sistemin, ndërsa PD respektonte ligjet, Kushtetutën dhe raportet ndërkombëtarë për zgjedhjet. “Këta që kanë bërë raportet nuk janë shokët e Sali Berishës, siç akuzon Rama, por janë arbitri ndërkombëtar. I bëmë dhuratë opozitës që të bënte Kodin Zgjedhor si ta kishte ajo për mbarë dhe në tryezë shkohet me dokumente që i referohen sistemit”, - tha ajo. Topalli shtoi më pas, se marrëveshja e kufirit detar me Greqinë do të rinegociohej, se ligji për SHISH-in kishte marrë “OK” nga sektori i përafrimit të legjislacionit me BE-në dhe se do kishte disa rrugë në tryezë për një tjetër veprim politik për dosjet.