Rama: Në vitin 2024 rritim pagat për mësuesit e 9-vjeçares dhe të gjimnazit

Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se duke nisur nga prilli i vitit të ardhshëm, një mësues i shkollës së mesme paguhet minimumi do të jetë 95.550 lekë, e ndërsa ato në gjimnaze 106800 lekë.
Rama tha se rritja e pagës për mësuesit do të bëhen në 2 hapa, ku baza do të jetë në këto nivele. Ai shpjegoi se do të ketë një shtesë edhe për vjetërsinë e punës që ka secili prej tyre.
“Kemi bërë një plan me dy hapa i cili do të nisë tani dhe do të përmbyllet në vitin e ardhshëm në mënyrë që të realizojmë këtë rritje.
Ju e dini shumë mirë që për mësuesit, ishte parashikuar edhe për mjekët, rritja 7% kështu që do të bëjmë rritjen 7% dhe pastaj në hapin tjetër dhe ky nuk është premtim, por plan financiar, në hapin tjetër pra vitin e ardhshëm, paga juaj do të kapërcejë në një tjetër nivel.
Pra, nëse sot që flasim rritja mujore do të jetë midis 3584 për mësuesit e shkollës 9-vjeçare, 3843 për mësuesit e shkollave të mesme dhe deri në 5800 për drejtuesit. Tek rritja e përgjithshme, mësuesit në shkollat 9 vjeçare do të kenë një pagë 95 550 lekë, mësuesit në shkollat e mesme do kenë një pagë 106 800 lekë.
Sigurisht këto janë bazat dhe pastaj ka sipas vjetërsisë, kualifikimeve që variojnë, por ky është niveli i pagës së mësuesve”, tha Rama i shoqëruar nga ministrja e Arsimit, Evis Kushi.
Rama vuri në dukje se rritja e këtyre pagave do të bëhet duke mos prekur borxhin publik.
“Besoj që është një rritje e mirë, e ndjeshme dhe është thuajse dyfishi i pagës që keni pasur ju kur jemi nisur bashkë në këtë përpjekje, ku kemi pasur dhe shumë probleme që na kanë dalë rrugës, por sot mund ta them me plot gojën që jemi në një fazë të re në të gjitha aspektet e parametrave financiarë të shtetit.
E rëndësishme është që të rrisim pagat kaq ndjeshëm, por do vazhdojmë të ulim borxhin publik. Në ndërkohë, të jeni të bindur që kjo rritje pagash do sjellë më shumë motivim, më shumë përkushtim për punën e të gjithëve”, tha Rama.
/rtsh.al/