Rama: Nisim dialogun për të ardhmen në çdo qytet dhe fshat të Shqipërisë
Partia Socialiste ka ripërsëritur qëndrimin e saj se nuk do ta votojë ligjin për kufizimin e imunitetit pa u bërë më parë ndryshimet kushtetutese.
Në një konferencë për shtyp, kreu i PS-së Edi Rama theksoi se opozita pret që me nisjen e sesionit të ri parlamentar të nisë edhe shqyrtimi i ndryshimeve kushtetuese të propozuara nga socialistët duke bërë të mundur edhe miratimin e tyre para vendimit të tetorit në Bruksel.
Nesër nisin punimet e parlamentit. Ne presim të nisë edhe diskutimi për të gjitha ndryshimet kushtetuese që kemi propozuar. Kështu i hapet rruga imunitetit për miratim para gjykimit të Brukselit. Në jemi pro kufizimit të imunitetit, aq më tepër që ky që është miratuar është varianti ynë, jemi gati ta votojmë imunitetin sapo të mbyllet diskutimi për ndryshimet e miratuara prej nesh. Ne i kemi paraqitur kuvendit një paketë për reformin e sistemit të drejtësisë ku gjyqtarët të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë të zgjidhen me 3/5 e parlamentit. Duhet të marrë fund zgjedhja e gjyqtarëve nga një parti e vetme dhe të krijohen kushtet për një përzgjedhje më të madhe tha Rama.
Ndërsa ka akuzuar qeverinë se e ka braktisur detyrën, kryesocialisti Rama njoftoi edhe nisjen e dialogut për të ardhmen. Sipas Ramës është koha që opozita me në krye PS të nisin rrugëtimin drejt fitores. Ne do të jemi këto 10 muaj në qytete e fshatra të Shqipërisë për të dialoguar për të ardhmen, me ccdo shqiptar që do rimëkëmbjen e ekonomisë dhe rikthimin tek Europa e Bashkuar theksoi kreu i socialistëve.
Gjithashtu në fjalën e tij Rama iu referua edhe situatës së krijuar nga zjarret në vend, krimit dhe rrogës së guvernatorit Ardian Fullani.
“Shqipëria vazhdon të digjet përditë dhe e përditshme është edhe krehja e kryeministrit. Kryeministri shfaqet rrugë më rrugë dhe shan dhe shan opozitën teksa flakët vazhdojnë të përpijnë çfarë u del përpara. Gjithashtu po habit Shqipërinë me guvernatori për madhësinë e rrogës që i ka dhënë vetes. Paguhen me para publike një ekip volejbolli që shpenzon më shumë se 3 federata bashkë. Krimi, ka dalë jashtë kontrolli, pasi shifrat janë rritur ethshëm kohët e fundit, ndërkohë që në 100 vjetorin e Pavarësisë shteti ka nxjerrë në ankand kombin. Në 90 ditë, 158 shqiptarë kanë humbur jetën nga vrasje, vjedhjet dhe aksidentet në rrugë. 220 të tjerë janë plagosur, nuk janë kaq të vrarë e të plagosur as në Irak dhe as në Afganistan tha Rama.