E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Nisim rritjen hap pas hapi, pensionin mesatar e çojmë në 400 euro

TIRANË, 2 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste deklaroi sot në takimin elektoral për zgjedhjet e 11 majit me banorët e Burrelit se, Partia Socialiste do të mbështesë rritjen e pensioneve.

“Ne bëmë reformën e pensioneve për të mbështetur pensionistët. Ndërkohë që sistemi kënetës ishte, që nuk ka pikë rëndësie se sa ke punuar, sa sigurime ke paguar, maksimumi i pensionit ishte 24 mijë lekë dhe të tjerët thërrime. Por ju e dini shumë mirë që u shkatërrua e gjithë baza industriale e vendit dhe dolën nga 40 vjeç në pension dhe në fakt ai nuk ishte sistem pensionesh por ishte asistencë. Ndërsa ne futëm sistemin e kontributeve, që sa ke kontribuar në sigurime shoqërore aq të del pensioni. Sot pensionistët që kanë dalë në pension pas reformës kanë një pension më të lartë se ata që kanë dalë para reformës”, deklaroi Rama.

Ai tha se, pensionet janë një tjetër plagë e trashëguar nga koha e rrumpallës.

“Ne jemi të vetëdijshëm, që atyre që kanë dalë në pension para reformës, të mund t’u japim  më shumë mbështetje, sidomos atyre që janë me pensione shumë të ulëta”, u shpreh Rama.

“Sot, vijoi ai, pensioni mesatar arrin në 300 euro, i atyre që kanë sigurime të plota dhe kjo erdhi pas reformës, ndërsa dhe për të tjerët nuk duam t’i lëmë vetëm me bonuse por do të të fillojmë hap pas hapi, të rrisim pensionin dhe të arrijmë në një pension minimal 200 euro, ndërsa pensionin mesatar janë të gjitha mundësitë për ta çuar në 400 euro”. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›