Rama: Në 11 maj nuk mund të luhet domino me fatin e Shqipërisë

TIRANË, 2 maj /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh Kryetari i Partisë Socialiste, deklaroi sot nga takimi elektoral në Burrel se duhet bërë çmos që njerëzit të derdhen në votime në 11 maj, sepse sipas tij nuk mund të luhet domino me fatin e Shqipërisë ditën e zgjedhjeve.
“Duhet të bëhemi sa më shumë. Të bëni çmos deri në 11 maj që të bashkojmë sa më shumë njerëz për diçka më të madhe se kaq, është mundësia e artë. Fati na e ka sjellë në dorë ne që jetojmë në këtë moment që BE ka hapur tani derën për Shqipërinë dhe na ka dhënë dy vjet kohë që të mbyllim negociatat. Ajo derë nuk rri hapur, është një shtëpi të pasurish që nuk rri hapur sa herë troket dikush, por kur të 27 aty brenda bien dakord dhe kanë interesin e vet që ta hapin”, tha Rama.
“Dy vjet ne duhet të mbyllim 250 mijë faqe. Kur shkojmë në Bruksel ulemi me ta, diskutojmë, mund të ndodhë kjo që të kthehemi në Tiranë dhe t’i lutemi kënetës që hajde se do ta kalojmë këtë. Çfarë t’u themi atyre në Bruksel që kemi një buf kënete që papritur dhe pa kujtuar u shfaq mes njerëzve dhe nuk arrin dot të merremi vesh”, vijoi ai.
Kryeministri u ndal gjatë fjalës së tij edhe te partitë e reja, që sipas Ramës nuk janë gjë tjetër veçse formacione, që të re kanë vetëm moshën e kryetarëve.
“Janë nga e njëjta farë që polli ndjesë pastë LSI-në. Këto fara që pa dalë akoma, thonë nëse ne do e kemi në dorë ne do shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Çfarë fati kemi ne, në dorë që t’i mbyllim të gjitha proceset deri 2027, nga një anë kemi një kënetë dhe mblidhet atje një njeri i lodhur, i rraskapitur që harron kryefjalën dhe del me një kallëzues, me gjithë liderët atje të partive popullore dhe nuk lë gjë pa thënë për vendin e vet, sikur vjen nga ndonjë diktaturë afrikane. Si mund t’i ngelet këtyre forcave sado të vogla, ndërkohë që duhet ta ketë populli në dorë që të mbyllim negociatat dhe shqiptarët të marrin pasaportat evropiane”, pohoi Rama.
Sipas tij, me marrjen e pasaportës evropiane për shqiptarët, përmbushet profecia e Gjergj Kastriotit kur vuri barrikadën dhe përcaktoi fatin e Shqipërisë, më pas rilindësit e lanë të shkruar amanetin dhe më pas kur populli doli në rrugën me shprehjen “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”.
“Na ka ardhur neve ne dorë që të bëjmë këtë kapërcim epokal nga milet i dorës së dytë, të bëhemi qytetarë të barabartë me të gjithë ata që jetojnë në Evropë”, cilësoi Rama, teksa u bëri thirrje mbështetësve të pranishëm në këtë takim që të bëjnë çmos që në 11 maj të derdhen të gjithë në votime.
“Insistoj të them që gratë dhe vajzat duhet të bëjnë çmos me të gjitha të tjerat, sepse kam besim se gratë e kapin këtë punë. Nuk mund të luajmë domino me fatin e Shqipërisë në 11 maj. Duhet të bëhemi sa më shumë”, vijoi Rama.
Në mbyllje të fjalës së tij, kreu i ekzekutivit u shpreh se erdhi dita kur dikur dibranët nuk e besonin, kur ai thoshte se Dibra do të jetë jastëku i gjelbër i Tiranës dhe Dibra do hapet si horizont turistik.
“Dibranët më shihnin me atë formën e vet dhe më hidhnin batuta. Sot, kjo është shumë e qartë. Kush jeton në këtë zonë, pesë vjet kohë ka që t’i bëjë hyzmet pronave që janë këtu. Momentin që hyjmë në BE të gjitha do dyfishohen e trefishohen. Do shkojë kafja kush e disa euro. Pesë vjet janë përpara për të gjithë emigrantët dhe ata që janë këtu që të bëjnë planet dhe pastaj do shikoni se si gjenerata tjetër do jetojë në një vend si të ishte Zvicra e Shqipërisë”, tha Rama. /j.p/