E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Njëri vret protestuesit nga dritarja e kryeministrisë, tjetri respekton

TIRANË, 18 mars /ATSH/ Në rubrikën “Sy m’sy” kryeministri Edi Rama iu përgjigj sot komenteve të qytetarëve në platformat sociale. Një prej tyre kishte të bënte me akuzat për “para të vjedhur” apo “që njerëzit po vdesin për bukë”.

“Cilat para të vjedhura, nga e di ti? Paratë që të kanë futur ty në atë kokën tënde plot me propagandë kënete, këneta, si mund të aludosh ti në hava. Për kë e ke fjalën. Kush nuk ka bukë për të ngrënë, për bukë në Shqipëri nuk vdes njeri, e kam thënë edhe njëherë tjetër. Mund të ketë nga ata që edhe kanë vështirësi, por për bukë nuk vuan njeri, nuk qëndron”.

Një tjetër komentues i tha Ramës që “opozita është kartë e djegur dhe se ju fitoni se jeni e keqja më e mirë”.

Rama tha se nuk ka ndodhur në një dekadë që të rritet prodhimi i brendshëm në 25 miliardë nga 10 miliardë që ishte një dekadë më parë.

“Unë besoj që çka ka bërë Shqipëria me kushtet dhe mundësitë që ka pasur ka bërë shumë, sepse nuk ka ndodhur ndonjëherë që në një dekadë të rritet prodhimi i përgjithshëm 2 herë e gjysmë, nga më pak se 10 miliardë në thuajse 25 miliardë dhe të ardhurat për frymë të rriten 3 herë. Këto janë fakte nuk i luan topi”, tha Rama.

Duke ju përgjigjur një tjetër komentuesi i cili i tha se “qeveritarët paguhen me lekët e popullit për të bërë detyrën”, Rama tha se detyrën e bëjnë të gjithë ata që futen në godinën e kryeministrisë, por shtoi se “njëri vret dhe tjetri respekton”.

“Pse deri dje ata që bënin detyrën e lanë Shqipërinë ashtu siç e lanë? Pse e lanë popullin shqiptar gjysma të paguante dritat dhe gjysma t’ja vidhte gjysmës tjetër? Detyrën e bëjnë të gjithë ata që vijnë në këtë godinë, por ca mbyllin dritaret dhe lënë protestuesit të bëjnë qejfin e tyre, ca të tjerë hapin dritaret dhe gjuajnë me automatik nga dritaret dhe vrasin protestuesit, puna është se njëri vret dhe tjetri respekton”, tha Rama.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›