E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Në PD nuk ka demokraci, e treguan primaret

TIRANË, 18 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama komentoi sërish sot zhvillimet në kampin opozitar, ndërsa u shpreh se “situata në kënetë është turbulente”.

Rama iu përgjigj live në rrjetet sociale pyetjeve të adresuara nga qytetarët duke u shprehur se edhe lista për zgjedhjet e 11 majit është listë për opozitë qëndrestare, pasi sipas tij, “‘bufi’ e di më mirë se të gjithë që nuk ka asnjë shans”.

“Bufat i kemi lënë në kënetë. Duhet të ma dëgjoni fjalën edhe ju që e keni mendjen akoma te PD-ja, por PD nuk ka. Është një AKM-Aleanca për Kënetën Madhështore. Nuk e di si do hidheni aty. Edhe Selami Jenisheri ishte distancuar nga aleanca se ata kanë një luftë të fortë për pushtet me Kujtim Gjuzin, është kryeministri në hije i aleancës. Sepse e vetmja gjë madhështore që ka aleanca janë mustaqet e Kujtimit”, tha Rama.

Sipas tij, “situata në kënetë është turbulente”. “Megjithatë pa merak se i ha bufi ata dhe i kullufit. Lista e bufit është listë për opozitë qëndrestare. Bufi e di më mirë se të gjithë që nuk ka asnjë shanc dhe do ta bëjë listë për një opozitë qëndrestare”, tha Rama.

Kreu i PS-së, tha se në PD nuk ka demokraci.

“Voto PS për veten tende jo për mua. Për veten tende votoje PS. Merre pasaportën, ta fusim Shqipërinë në BE e pastaj shih e bëj, kthehu prapë atje te PD ndjese pastë se s’ka PD, ka kënete. Nuk ka PD, ka kënete. Nuk ka demokraci atje, atje ka një buf kënete se e pe vet me primaren. Se më bëre të ngre zërin”, nënvizoi Kreu i Ekzekutivit.

Ndërsa për Lulzim Bashën, Rama ironizoi duke thënë: “Live nuk e fus dot Lulin se është duke fjetur tani, por do t’i japi një përgjigje se më ka kërkuar dje prapë. Por lëre të flejë edhe një çik, nga ora 12:00 zgjohet. Tani që është zgjuar se kur nuk zgjohet, nuk zgjohet ai, feston Vitin e Ri, fle gjumë dhe zgjohet në pranverë. Dhe pranvera për të nuk fillon në 14 mars, por fillon në 22 qershor. Por është zgjuar këtë herë, më ka surprizuar”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›