E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: “Non grata” e Berishës, një turp kombëtar. Oqeanin e kaloj sa herë të dua

TIRANË, 15 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, në një komunikim të drejtpërdrejtë në rrjetet sociale përmes rubrikës “Sy m’Sy”, iu përgjigj një komentuesi i cili e pyeti nëse Kryeministri “mund ta kalojë oqeanin apo jo”.

Rama siguroi se oqeanin e kalon sa herë të dojë, edhe për t’u takuar me të gjithë ata që janë në anën e shtetit amerikan, edhe për të shkuar për të parë ndeshje basketbolli.

“Kështu që lëri këto me oqeane, mos ma qaj hallin fare ti, se unë oqeanin e kaloj sa herë që dua edhe për t’u takuar me të gjithë ata që janë në anën e shtetit amerikan, edhe për të shkuar për të parë ndeshje basketbolli. Për të dyja e kam kaluar oqeanin pa asnjë problem rri i qetë”, iu përgjigj Rama komentuesit.

Rama më tej, duke iu përgjigjur një tjetër komentuesi u shpreh se, “çfarë problemi ke ti, çfarë halli ke ti. Vizita në SHBA, do të jetë kur të më ftoj SHBA, nëse bëhet fjalë për të takuar presidentin apo të tjerët. Kur të më ftojë SHBA do bëhet vizita, nuk jam duke u shqetësuar, nuk shoh asnjë urgjencë, asnjë problem, asnjë hall”.

Ndërkohë Rama iu referua “non gratës” së Berishës nga SHBA, të cilën tha se e ka konsideruar gjithmonë “një turp të madh kombëtar”.

“Se më thanë se edhe Latifi kishte thënë nuk di çfarë të them për “non gratën” a do hiqet, a s’do hiqet. Unë personalisht “non gratën” e kam konsideruar një turp të madh kombëtar për gjithë Shqipërinë dhe për mua sikur të mos kishte ndodhur do të kishte qenë më mirë për mua dhe për të gjithë bashkë. Po kjo historia që do hiqej në janar, në shkurt, në mars, në prill, ta shohim. Mos ma qani hallin mua”, tha Rama.

Rama kujtoi se dje në Luksemburg u çel një tjetër grup-kapitujsh dhe Shqipëria në 6 muaj ka hapur tre grup-kapituj me Bashkimin Europian.

“Ka edhe tre të tjerë për të hapur dhe kalendarin me BE-në e ka për mbylljen e negociatave për 3 vjet. Nëse e gjitha kjo bëhet realitet, nëse ne nuk humbasim asnjë minutë, brenda vitit 2027 mbyllim negociatat, bëhemi pastaj vendi që ka kryer negociatat më të shpejta në historinë e integrimit, përjashto Finlandën”, tha Rama.

Kjo, sipas tij, “nuk është se ne jemi më të zotët e më të shpejtë se vendet që kanë hyrë në BE, por na ka ardhur fati në dorë ne shqiptarëve”.

“Kemi bërë edhe ne, PS dhe unë bashkë me gjithë të tjerët në PS, betejën tonë për të sjellë rrotën e historisë këtu, por ama fati na ka ardhur tani në dorë dhe derë dhe nuk duhet ta lëshojmë”, tha Rama.

/a.f//r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›