Rama: Nuk bëhet fjalë për dorëheqjen time, por për negociatat me BE-në

TIRANË, 18 tetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi se nuk e konsideron dorëheqjen e tij si çështje të pushtetit personal, por theksoi se largimi i tij në këtë moment mund të ndikojë në vijimin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Gjatë një komunikimi të drejtpërdrejtë në rrjetet sociale, Rama iu përgjigj thirrjeve për t’i hapur rrugë të rinjve, duke vënë në pikëpyetje se çfarë do të sillte largimi i tij nga detyra.
“Janë disa, janë shumë në fakt që thonë ‘hapi rrugë rinisë’. Cilës rini? Kësaj? Kësaj? Hapi rrugën kësaj? Po mirë, le të prezumojmë për një moment që unë ia hapa rrugën kësaj. Ça vjen pas kësaj? Kush vjen pas kësaj? Vjen qetësia? Vjen një qeverisje më e mirë? Vjen një Shqipëri më europiane? Vjen Shqipëria në BE pas kësaj? Jo! Pas kësaj vjen e kaluara. E kaluara të cilën e kemi parë, e kemi jetuar dhe ia kemi paguar të gjitha haraçet dhe unë nuk kam lejuar që të njëjtat haraçe t’ia paguajmë asaj të kaluare edhe ata që sot po rriten në mes të 1001 vështirësive ku vështirësia më e madhe është kaosi i rrjeteve sociale, është kaosi i dezinformimit, është kaosi i urrejtjes, i dasisë, i zilisë pse e ka ai dhe s’e kam unë?”, deklaroi Rama.
Kryeministri u ndal te ndikimi i rrjeteve sociale te të rinjtë, duke përmendur edhe incidentin në një dyqan të Vodafone, ku disa të rinj hynë për të marrë telefona iPhone.
“Ata fëmijë që u futën për të marrë iPhone-t tek Vodafoni, ata janë viktimat e ‘kllounëve’, ‘kllounëve’ që u tregojnë prapambetjen në Instagram, e atyre që iu bëjnë poza dhe i bëjnë të ndihen totalisht të pavlerë sepse nuk kanë iPhone. Jo librin, iPhone!”, u shpreh ai.
Rama tha se, çështja nuk lidhet me interesin e tij për të qëndruar në pushtet, por me procesin e integrimit evropian dhe përfaqësimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
“Dhe që të jemi shumë të qartë bashkërisht, nuk është çështja e pushtetit tim, nuk kam asgjë për t’i provuar vetes më. Mund ta kem pasur në krye të herës dëshirën për t’u takuar me të mëdhenjtë e kësaj bote, është normale kur merresh me këtë punë, për t’u takuar, për të bërë fotografi, dëshirën për këtu, dëshirën për të shkuar… i kam parë të mëdhenjtë e kësaj bote drejt e në sy dhe më kanë parë drejt e në sy. Ia kam provuar vetes se mund ta përfaqësoj këtë vend me dinjitetin më të lartë, jo me arrogancë, por krenari. Bëj vetëm udhëtimet e domosdoshme. Nuk kam më asnjë dëshirë as të udhëtoj për këtë pushtet. Pasuri? Ça t’ju them? Është e kotë të flas për këtë. Është e kotë të flas për këtë, por di këtë gjë dhe e përsëris, nuk është pushteti im këtu në lojë. Këtu në lojë është tryeza e negociatave në BE. Kaq e thjeshtë është kjo”, deklaroi kryeministri.
Ai iu referua kalendarit të negociatave, duke theksuar se procesi kërkon angazhim të vazhdueshëm dhe bashkëpunim të përditshëm me Komisionin Evropian.
“Negociatat kanë kalendar. Kalendari është deri në fund të 2027. Dritarja është e hapur tani. Ajo dritare, siç e tregojnë historitë e vendeve të tjera, hapet, mbyllet. Ne na është hapur tani dhe kalendari kërkon që çdo ditë, çdo ditë, çdo ditë ne të çojmë, të japim dhe të marrim me Komisionin dhe ka çdo ditë fluturime në Bruksel dhe nga Brukseli këtu për të ndarë informacion, për të ndarë çfarë kemi bërë. Kjo ndërpritet. Pse? Se në qoftë se unë po iki dhe po lë të vijë ai neoballisti ose ai neokomunisti apo mos hymë tani te matufepsi currufjapsi, do duhet një kohë e gjatë, ‘jo po ti, jo po unë, jo po ky, jo po ai, jo po këta, jo po ata’. Çfarë është kjo?”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se është i gatshëm të dialogojë me të rinjtë dhe protestuesit, duke i ftuar të paraqesin kërkesat e tyre dhe propozimet për përmirësimin e situatës.
“Kështu që, le ta ndërpresim këtu dhe unë i ftoj këdo që do të bëjë dialog, këdo që do të më takojë, këdo që do të flasë me kamera, pa kamera, me fotografi, pa fotografi, në Kryeministri, në fakultet, në ku të doni të ulemi të flasim çfarë keni, çfarë doni, çfarë mund të bëjmë për ju, si mund t’i bëjmë gjërat më mirë”, deklaroi ai.
Duke folur për përplasjet mes protestuesve dhe policisë, Rama mbrojti ndërhyrjen e forcave të rendit dhe përdorimin e plumbave të gomës, duke pretenduar se efektivët ishin sulmuar me gurë dhe sende të tjera.
“Patjetër sigurisht, por mos shkoni pas, po flas me ata vajza dhe djem që shkojnë atje, jo për të gjuajtur me gurë, por që pararojë kanë gurët, maskat dhe pastaj thonë na lëndoi policia. Po aty nuk bëhet balet. Aty nuk luhet futboll me një arbitër që po e preke tjetrin merr faull. Aty përballet kjo breshëria e gurëve, e flakëve nga policia e shtetit. U gjuajtën me plumba gome. E dini pse ndodhi gjuajtja me plumba gome? Sepse efektivi i policisë mori zarin e çelikut këtu, iu ça nofulla tjetrit dhe shoku në krah e largoi apo u përpoq që ta largonte se s’di kë, kriminelin që qëlloi me saçme”, u shpreh Rama.
Ai iu referua edhe rolit të forcave speciale RENEA, duke thënë se ndërhyrja e tyre bëhet kur ka kërcënime për rendin dhe sigurinë.
“‘Jo, po doli RENEA’. RENEA ka detyrë të dalë në momentin kur ka kërcënim. RENEA del dhe kur luhet ndeshja e futbollit Serbi me Shqipërinë. Shqipëri me Serbinë në Shqipëri apo një ndeshje futbolli ku mund të ketë premisa për rrëmujë. Çfarë do të thotë kjo? Dhe patjetër doli dhe do dalë. Nuk diskutohet dhe patjetër do të shtrëngohet rrethi ndaj atyre me maska. E ka edhe ligji që ti nuk mund ta fshehësh identitetin. Kush do të flasë me mua pa maska, unë jam këtu. Kush do të më çojë mesazh me gurë dhe me maska, mua dhe shtetin e ka përballë”, deklaroi kryeministri.
Në fund të komunikimit, Rama foli për dëmet e shkaktuara në biznese gjatë protestave, duke thënë se nga verifikimet e deritanishme janë evidentuar rreth 50 subjekte të dëmtuara, kryesisht sportele, dyqane bankash dhe pika të kompanive telefonike.
“Shumë faleminderit dhe ju them përzemërsisht atyre që u janë dëmtuar bizneset dhe ju them të tjerëve, dëmi e kemi parë nga verifikimet është shumë më i vogël në fakt nga çfarë duket, sepse janë kllounët e mbrëmjes dhe pronarët e atyre ekraneve që amplifikojnë maksimalisht, deri dje nga mesdita kishim rreth 50 subjekte, nga të cilat shumica, sportele, dyqane bankash dhe telefonie. Pra, biznese të vogla fatmirësisht ishin pak, po ne nuk kemi problem me numrin për sa na takon ne. Ne do t’u gjendemi pranë dhe të gjitha do t’i bëjmë siç di unë t’i bëj, më të mira, më të forta, sepse çdo gjë që nuk na vret vetëm na forcon dhe kjo që po ndodh Shqipërinë do të nxjerrë më të fortë”, përfundoi Rama.
/gj.m/a.f/