Kryepeshkopi Joan: Merrni vendime të urta dhe të pjekura në shërbim të vendit

TIRANË, 18 tetor/ATSH/ Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Joan, u bëri thirrje sot të gjithë atyre që kanë përgjegjësinë e vendimmarrjes të marrin vendime të urta dhe të pjekura në shërbim të vendit dhe të të gjithë qytetarëve.
Në përfundim të Liturgjisë Hyjnore, Kryepeshkopi Joan theksoi se Shqipëria u përket të gjithë qytetarëve dhe se secili ka të drejtën të kontribuojë në ndërtimin e saj.
“Lutemi që Perëndia t’i ndriçojë të gjithë ata që kanë përgjegjësinë e vendimeve, të marrin vendime të urta dhe të pjekura në shërbim të të gjithë vendit. Sepse Shqipëria është e të gjithëve. Të gjithë ata që banojnë këtu janë pjesë e saj dhe të gjithë kanë të drejtën për të marrë pjesë në ndërtimin e saj”, u shpreh ai.
Kryepeshkopi Joan shprehu shpresën që lutjet për vendimmarrje të drejtë të dëgjohen, duke nënvizuar rëndësinë e përgjegjësisë në marrjen e vendimeve që ndikojnë në të ardhmen e vendit.
“Prandaj, i lutemi Zotit që të ndriçojë mendjet për të marrë vendimet e duhura dhe shpresojmë që lutjet e të drejtëve Perëndia do t’i dëgjojë”, theksoi Kryepeshkopi Joan.
/gj.m/a.f/