E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Nuk do ta njohim Lotarinë Kombëtare

Ai tha se kur në pushtet të vijë partia e tij, nuk do ta njohë këtë Lotari.

“Kjo është një veprimtari haptazi kriminale në dëm të publikut dhe të interesit publik. Unë dua ta bëj shumë të qartë që ne nuk do ta njohim këtë lotari kombëtare dhe ne do ia kthejmë publikut këtë të drejtë duke e vënë lotarinë kombëtare në dispozicioni të interesit publik. Është publiku që përmes shtetit duhet të përfitojë përqindjen e përmbysur të asaj që shprehu Ministri i Financave. Pra jo 10% për shtetin dhe 90% për privatizuesit, por 90, 85, 80% në rastin më të ulët për shtetin dhe pjesa tjetër për gjithë anën e operimit”, tha Rama për mediat.

Ai shtoi se ndryshe nga vendet e tjera, logjika e ndjekur në Shqipëri, është ajo e grabitjes së një të drejte të publikut në favor të një klientele të pushtetit. “Ajo çka i sugjeroj këtyre zotërinjve, që po shkojnë nga grabitja në grabitje dhe pasi kanë grabitur e vazhdojnë të grabisin pasuritë e patundshme, kanë hyrë në fushën e grabitjeve të të drejtave të publikut është që të mbajmë në konsideratë praktikat më të mira evropiane, të mos harrojmë për asnjë moment që aty janë për të mirëqeverisur në funksion të publikut”, shtoi Rama.

                                                                                             2012-06-23 08:45
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›