E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Nuk do votojmë kandidaturën e Bujar Leskajt

Bujar Leskaj do të synojë të ketë vetëm votat e mazhorancës për t`u emëruar si kryetar i ri i Kontrollit të Lartë të Shetit.

Duke folur në mbledhjen e grupit të PS-së, kreu i selisë rozë Edi Rama ka deklaruar se deputetët e majtë nuk do ta votojnë kandidaturën e Bujar Leskajt.
 

Sipas Ramës, PS-ja është për një figurë jo politike në krye të KLSH-së dhe Bujar Leskaj nuk i përmbush kushtet e propozuara nga kjo forcë politike në paktin prej 10 pikash.

"Ndërkohë që ka një traditë që kryetarin e KLSH-së nuk e merr qeveria dhe nuk propozohet asnjë figurë politike, Bujar Leskaj jo vetëm vjen nga partia në pushtet por nuk përmbush asnjë kusht për tu votuar prej nesh” ka theksuar Rama.

Gjithashtu Rama theksoi se nëse dekreti i presidentit Topi kalon në Kuvend atëherë ky institucion nuk do të quhet më Kontrolli i Lartë i Shtetit por kontrolli i pushtetit.

Një ditë më parë, deputeti i PD-së, Edi Paloka shprehu vlerësimin pozitiv për kandidaturën e Bujar Leskajt, duke shtuar se gjithsesi për të do të merret një vendim i grupit parlamentar të PD-së.

Dekreti i Topit vjen pas rrëzimit të kandidaturës së parë zgjedhur prej tij për kreun e KLSH-së, Sali Shehun, rrëzuar nga maxhoranca si kandidaturë e papranueshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›