E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Nuk dorëzohemi! Ejani në protestë

Ngjela: Data 14 maj do jetë dita që do shporrim tiranin me fitore

Apeli opozitar i 13 majit ka orientuar ngjarjen politike që pritet të zhvillohet sot në orën 18:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Duke respektuar “traditën” e protestave që kanë nisur që prej 30 prillit, përfaqësuesit e opozitës kanë përsëritur thirrjet për pjesëmarrje masive në tubimin e sotshëm, duke e përvijuar atë si një sulm të fundit ndaj qeverisë së drejtuar nga Sali Berisha. Ashtu sikurse pritej, intonacioni politik i oratorëve është theksuar me akuza shumë të rënda ndaj Kryeministrit, duke e përkufizuar atë si tabelë qitjeje për reagimin e protestuesve që pritet të vijnë sot nga e gjithë Shqipëria. “Data 14 maj do jetë dita që do shporrim tiranin me fitore. Kjo është një betejë e cila në rast se nuk fitohet nga ne, nuk ka më të ardhme për Shqipërinë dhe shqiptarët”, ka deklaruar Spartak Ngjela. Në 13 ditë mitingjesh dhe grevë urie, fjalimesh të ashpra dhe akuzash personale, opozita shqiptare ka dëshmuar të paktën verbalisht se për të demokracia në Shqipëri është inekzistente. Por radikalizimi i thirrjeve të opozitës ka nxjerrë në sipërfaqe edhe atë që mund të shihet si një problem i rendit publik, sidomos në protestën e ditës së sotme. Duke folur për tubimet e ditëve të kaluara, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka nënvizuar: “Askujt të mos i shkojë mendja se ne mund të lodhemi, të zmbrapsemi, të dorëzohemi”. Por nuk ka munguar që të japë disa konsiderata edhe për qëndrimin e Policisë së Shtetit. Ai ka paralajmëruar forcat e saj për shmangie të konfrontimit, që sipas tij në ditët e fundit janë provokuar prej drejtuesve të saj. “...Fjalët e para i kam për... ata drejtues policie që ndërhynë me një sjellje harbute ndaj protestueseve paqësorë, sepse... një ditë do të merret drejtësia. Të gjithë, pa përjashtim, të gjithë ata që sot marrin rrogën e shtetit për t’u shërbyer qytetarëve, duke garantuar ligjin, duhet ta fusin mirë në mendje se historia e ka treguar se pushtete të tilla janë pushtete që bien shumë më shpejt”, ka deklaruar Rama. Pa asnjë diskutim kjo thirrje e tij e shpërndan tensionin politik edhe në drejtim të organeve të zbatimit të ligjit, duke e vendosur menaxhimin e situatës në një moment shumë delikat. Lideri i opozitës ka hedhur kritika të ashpra ndaj ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, për këtë reagim të dhunshëm të forcave të rendit. “Unë nuk them se ministrit të Brendshëm duhet t’i vijë turp për incidentin e djeshëm me Pandeli Majkon, sepse ky ministër është shëmbëlltyra më e qartë e këtij pushteti në kërkim, që ka bërë abuzimin më të madh. Nuk ka turp më të madh”, ka pohuar Rama. Ai ka theksuar se nga veprimi i policisë në bazë të interesave të qeverisë, ka bërë që kjo e fundit të mos e ketë mendjen te krimet e rënda, si ajo e nxënëses që u vra në mes të klasës. “Vritet nxënësja në klasë, vriten njerëzit me njëri-tjetrin dhe nuk ka asnjë komunikatë se çfarë ndodhi. Kjo gjë bëhet vetëm e vetëm për t’u bërë presion protestuesve të opozitës, ky është turp”, ka theksuar Rama. Lideri i opozitës ka akuzuar qeverinë edhe për afera korruptive, të cilat sipas tij janë konkretizuar me shitjen e hotel “Dajtit” te Banka e Shqipërisë. “Ky është një pushtet në kërkim, që po rrënon ekonominë. Sot e morëm vesh të gjithë që për të hedhur ca para në arkën e shtetit, qeveria shet hotel “Dajtin” te BSH. Ose BSH i bleu qeverisë hotelin”, ka nënvizuar Rama. Plotësues i këtij mesazhi të opozitës për forcat e policisë ka qenë fjalimi i deputetit socialist, Xhemal Qefalia, i cili ka bërë thirrje që “polica të bëjë atë që bëri në 1991-shin”, duke nënkuptuar një mosbindje ndaj urdhrave që sipas tij vijnë nga pushteti dhe jo detyra e shtetit. Përtej këtij problemi që ka të bëjë me mbarëvajtjen e protestës së sotme dhe ruajtjen e tiparit të saj paqësor, mesazhet politike të kreut socialist i janë përmbajtur fizionomisë së përhershme që e konsideron situatën e tanishme simptomë të keqqeverisjes. Për sa i përket strategjisë opozitare të bllokimit të rrugëve kombëtare dhe bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, prononcimi i tij ka qenë domethënëse dhe inkurajues. “Berisha flet për protestën dhe thotë se respekton të drejtën kushtetuese. Ne i themi se nuk e pyet kush zotërinë tënde, ne protestën do ta bëjmë pa u ndalur, këtu para zyrës tënde, derisa të fitojmë transparencën. Kjo është e drejta që duhet të respektojë Berisha”, ka deklaruar Edi Rama.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›