E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shitja e hotel Dajtit rrethohet nga misteri

Asnjë institucion nuk shpjegon se pse u shit dhe kush do të paguajë paratë

Njëzet e katër orë pasi qeveria vendosi të shesë ish-hotel “Dajtin” te Banka e Shqipërisë për 30 milionë euro, asnjë prej institucioneve shtetërore që kanë lidhje me ngjarjen nuk sqaron dot se çfarë ndodhi dhe se pse shërben kjo shitje. Blerësi, Banka e Shqipërisë, nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve. Një anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë tregoi në konfidencialitet për “Shqip” se lajmin për blerjen e hotel “Dajtit” e ka mësuar nga media. “Në asnjë mbledhje të Këshillit Mbikëqyrës nuk është diskutuar një blerje e tillë”, tha ai. Në Ministrinë e Financave të thonë se nuk ia kanë idenë, për shkak se nuk kanë qenë ata propozues të vendimit. Megjithatë, Ministria e Financave praktikisht mund të arkëtojë 30 milionë euro si “të ardhura nga privatizimi”, në rast se transaksioni shkon deri në fund. Opozita akuzoi dje Bankën e Shqipërisë se po i nënshtrohet presionit të qeverisë për të dhënë financime jashtë kuadrit ligjor.

Vendimi

Këshilli i Ministrave diskutoi një propozim të vetë Kryeministrit Sali Berisha dhe miratoi vendimin për të shitur ndërtesën e ish-hotel “Dajtit” te Banka e Shqipërisë. Vendimi arsyeton se hoteli me 89 dhoma do të përdoret përkohësisht si administratë e Bankës së Shqipërisë, e cila ka nisur procedurat për të rikonstruktuar dhe zgjeruar godinën e vet historike në qendër të Tiranës. Por marrja e hotel “Dajtit” në mënyrë të përkohshme mund të kryhej edhe pa pagesë ose me qira, pra nuk qe e nevojshme një transaksion financiar i këtyre përmasave. Për më tepër, gjatë dy viteve të fundit, BSH ka marrë me qira apo ka blerë ambiente të shumta në vende të ndryshme të Tiranës, në përgatitje të rikonstruksionit të selisë qendrore.

Por problemi më i madh është se Banka e Shqipërisë funksionon ligjërisht si arka e qeverisë shqiptare dhe në rast se ajo do të paguajë 30 milionë euro te qeveria, atëherë qeveria do t’i shesë vetes së vet një ndërtesë që do ta paguajë po ajo vetë. Shkurt, një veprim i tillë nuk ka kuptim nga pikëpamja financiare, por mund të ketë kuptim nga pikëpamja e buxhetit të shtetit.

Bilanci i BSH

Banka e Shqipërisë funksionon si një kompani nën pronësinë e qeverisë. Fitimet që ajo nxjerr nga monopoli i prodhimit të parasë, si dhe nga interesat që u mban bankave për kreditë që jep, i transferohen Ministrisë së Financave, e cila i përdor për shpenzimet e buxhetit të shtetit. Në rast se 30 milionë eurot do të dalin nga fitimet e këtij viti të Bankës së Shqipërisë, atëherë sasia e parave që do të mbërrijë te Ministria e Financave do të jetë e njëjtë. Për këtë arsye, një shitblerje e tillë nuk ka kuptim financiar. Një pagesë shtesë prej 30 milionë eurosh nga BSH për te qeveria mund të klasifikohet ligjërisht si financim direkt. BSH dhe qeveria patën mosmarrëveshje të konsiderueshme gjatë vitit të kaluar, kur Ministria e Financave kërkoi herë pas here kredi direkte te banka qendrore për të mbuluar deficitin e buxhetit. Sipas këshillave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, kredia direkte duhet të përdoret në një masë jo më të madhe se 3 për qind e të ardhurave mesatare buxhetore të tre viteve të fundit dhe duhet të shlyhet brenda pak muajsh. Ajo është një masë ekstreme, që duhet të përdoret vetëm në kushte ekstreme, për shkak se kredia direkte përbën emetim shtesë monetar dhe rrezikon stabilitetin makroekonomik të vendit.

Reagimi i opozitës

Deputeti socialist, Erjon Braçe, akuzoi Bankën e Shqipërisë se po ndihmon qeverinë financiarisht përtej limiteve të saj ligjore. Duke folur para tendës së grevës së urisë që po zhvillojnë disa deputetë dhe simpatizantë të Partisë Socialiste, Braçe e komentoi vendimin e qeverisë për shitjen e ish-hotel “Dajtit” si një tregues të gjendjes së vështirë financiare të qeverisë.

“Arka e shtetit është bosh. Një akt i fundit i qeverisë dhe i bankës së Shqipërisë, me një pasuri publike në proces privatizimi apo shitje, dëshmon edhe më qartë që arka e shtetit vazhdon të jetë gjithnjë e më tepër bosh”, tha Braçe.

“Një operacion i pastër që nuk justifikon blerjen e këtij objekti nga ana e Bankës së Shqipërisë, por që dëshmon qartësisht dhënien e parave nga Bankës e Shqipërisë, për arkat bosh të qeverisë së Sali Berishës”, vijoi ai, duke përmendur se BSH-ja ka marrë me qira një vilë të përdorur më parë nga kompania rentiere VEFA, si dhe ambiente të tjera në pallate të reja. Braçe akuzoi guvernatorin e Bankës së Shqipërisë si të linjëzuar politikisht. “Një përfaqësues tashmë i kthyer totalisht në politik, që drejton si guvernator Bankën e Shqipërisë, ortak i vjetër me Sali Berishën, që nga viti 1996, po mundohet të mbajë në këmbë një ngrehinë, e cila duhet të kishte rënë, për shkak të arkave bosh që ka”, tha Braçe.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›