Rama: Nuk ekziston luftë e brendshme në PS
Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama në një intervistë dhënë për DW ka komentuar situatën brenda kësaj force politike, duke mohuar luftën e brendshme destruktive. “Në PS nuk ka asnjë luftë të brendshme destruktive, debatet tona për të rënë në një mendje duke shprehur pikëpamje të ndryshme janë pjesë e bashkëjetesës sonë demokratike, ashtu siç janë edhe proceset demokratike zgjedhore, që ne zhvillojmë brenda partisë në bazë të normave të votuara statutore. Ne u referohemi sistematikisht partive të mëdha demokratike të botës së lirë, duke ndryshuar me kohën që ndryshon, në një botë gjithnjë e më të vogël, sepse jemi përditë e më të lidhur përmes teknologjisë së re. Demokracia është proces dhe në rrugën e konsolidimit të saj ka natyrshëm probleme, që duhen adresuar me kurajo e aftësi, ka gjithnjë mësime, që duhen nxjerrë e ndryshime, që duhen bërë. Ne do t`i nxjerrim gjithë mësimet e duhura, duke bërë ndryshimet, që na duhen për t`i dhënë lirisë sonë vlera dhe për të rritur impaktin e këtyre vlerave në kulturën e bashkëjetesës”, shprehet ai.
Ndër të tjera kreu socialist ka deklaruar se zgjedhjet e 8 majit PS i ka fituar si një rezistencë e fortë opozitare, ndërsa shtoi në këtë drejtim se zgjedhjet e përgjithshme do t`i fitojë si një alternativë e fortë qeverisëse. “Nëse Kolegji do të vulosë në fund, uroj jo, fitoren e paqenë të humbësit të zgjedhjeve të Tiranës, duke mbyllur sytë para provave ulëritëse të shifrave të manipulimit të zgjedhjeve në tavolinën e KQZ-së, kjo do të jetë një barrë e rëndë me pasoja për vendin - pa diskutim këtu edhe për gjykatësit ligjshkelës dhe për vetë Saliun (Sali Berisha)e për pushtetin e tij të vjedhur”, u shpreh ai.