E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Nuk ikim nga qeveria pa e bërë Shqipërinë pjesë të BE-së

Gjatë konferencës për media me ambasadorin e Bashkimit Europian, kryeministri Edi Rama u shpreh se, procesi i integrimit në BE duhet të mbyllet brenda vitit 2027.

Rama shtoi se, Shqipëria është i vetmi vend në rajon që po përdor inteligjencën artificiale në këtë proces ndërsa u shpreh krenar që 5 nga 6 kapitujt janë hapur në një kohë rekord.

“Raporti thotë një gjë, që Shqipëria është në rrugën e duhur, për të përmbyllur teknikisht negociatat brenda vitit 2027. Duke thënë këtë, raporti i ka thënë të tëra. Ndërkohë që patjetër që në këtë rrugë të duhur, ka sfida në çdo hap. Sfida dhe dhe cështje për tu adresuar jo vetëm në mënyrë sasiore por edhe cilësore në cdo hap. Natyrisht që raporti i progresit është një gotë e mbushur përgjysmë. Ajo që ne kemi bërë gjithmonë dhe do të bëjmë përsëri është që duke marrë energjinë e nevojshme nga gjysma plot, të fokusohemi me të gjithë energjinë e nevojshme te gjysma bosh që në 2027 ta përmbyllim këtë process që raporti i vitit 2027 të shkruajë rekomandojmë anëtarësimin e Shqipërisë. Ky është objektivi historik dhe jam krenar që tanimë askush nuk harron të thotë se Shqipëria është pararojë në këtë process me Malin e Zi dhe më në fund është shembulli pozitiv që iu jepet edhe të tjerëve që duan të bëhen pjesë e BE“, tha ndër të tjera Rama.

Kryeministri u shpreh se qeveria e tij nuk do të largohet pa e bërë Shqipërinë pjesë të Bashkimit Europian.

“Shpresoj që këtë urim ta marrin siç duhet të gjithë ata që nuk e duan këtë qeverinë, por që sot duhet të ndihen më mirë, sepse sa më pranë të jemi me BE-në, aq më shumë do të ketë përkujdesje për ta. Ndihuni mirë që të gjithë, qofshi mbështetës, qofshi kundërshtarët, sepse kjo qeveri ka bërë detyrat si për mbështetësit, si për kundërshtarët. Mbështetës dhe kundërshtarë të qeverisë jemi në kohë të ndryshme sipas qeverive. Kjo e jona nuk shkon pa sjellë BE-në në Shqipëri dhe pa e bërë Shqipërinë pjesë të BE-së”.

Konferenca vjen një ditë pasi Bashkimi Europian publikoi progres-raportin për vendin tonë, ku nënvizohej se Shqipëria ka ruajtur një linjë të qartë politike në përputhje të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, përfshirë mbështetjen për sanksionet ndaj Rusisë, një qëndrim që Brukseli e cilëson si dëshmi e besueshmërisë si vend partner.

Nga Brukseli, Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, vlerësoi në mënyrë të veçantë Shqipërinë për arritjet e bëra në kryerjen e detyrave për procesin e negociatave.

LEXO EDHE: Ambasadori i BE i dorëzon progres-raportin Ramës: Shpejtësi e jashtëzakonshme, 5 nga 6 kapituj janë hapur

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›