Rama: “Nuk ka PS në Kuvend pa u bërë transparenca e zgjedhjeve”
Kryetari në detyrë i Partisë Socialiste, Edi Rama, duke komentuar vendimin e Grupit Parlamentar, deklaroi dje se Partia Socialiste nuk do të jetë e pranishme në Kuvend në rast se nuk do të bëhet transparenca e maskaradës elektorale të 28 qershorit. Rama sqaroi se bojkoti i PS-së nuk është një bojkot primitiv, por ka në thelb vendosjen e marrëdhënieve të kushtëzuara me Kuvendin, për shkak të cenimit të rëndë të procesit zgjedhor të 28 qershorit. Për këtë arsye, kryesocialisti theksoi se është shumë e rëndësishme zbardhja e krimit elektoral. Rama sqaroi gjithashtu se qëllimi i PS-së nuk është ndryshimi i rezultatit të zgjedhjeve, por përgatitja e kushteve për të eliminuar në proceset e ardhshme manipulime dhe deformime të tilla. “Dua të theksoj që ky nuk është një bojkot në kuptimin tradicional dhe me përmbajtjen primitive që ka pasur bojkoti në kohën kur Sali Berisha braktiste Parlamentin. Ky është një qëndrim që kushtëzon hyrjen e PS-së në Parlament. Ky është një qëndrim që kërkon të vendosë në qendër të vëmendjes së opinionit publik të gjitha ato çështje që kanë të bëjnë me problematikën e rëndë zgjedhore dhe që kërkon transparencë dhe zbardhje të krimit zgjedhor. Qëllimi ynë nuk është të ndryshojmë rezultatin e zgjedhjeve në tavolinë, por është të nxjerrim në pah gjithçka që ka të bëjë me maskaradën zgjedhore në mënyrë që të krijojmë kushtet për të eliminuar shkaqe që do të mbeten shkaqe dhe do të shkaktojnë përsëritjen në përmasa edhe më të rënda të kësaj maskarade në rast se PS-ja dhe e gjithë opozita, të gjitha forcat politike dhe shoqërore në opozitë me Sali Berishën, me Ilir Metën dhe me Fatos Nanon dhe me të gjithë këtë farsë, nuk rezistojnë. Kjo është rezistencë demokratike ndaj një farse. Ne nuk mund të bëhemi fasadë në një parlament që nuk e gëzon legjitimitetin e plotë dhe nuk i njohim kësaj shumice të drejta që të vendosë për ne, duke shkelur liri dhe të drejta që u takojnë qytetareve dhe qytetarëve të këtij vendi”, - tha kryetari në detyrë i Partisë Socialiste, Edi Rama.
7 Shtator 2009